
Hetimet zbulojnë se atentatorët që ekzekutuan Gilmando Danin ishin tre qitës dhe një shofer. Armët e gjetura në makinën e djegur dhe gjurmët e udhëtimit çojnë drejt Niklës.
Ngjarja e rëndë e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP Muçi Sheqeri, po zbardhet pjesë-pjesë nga hetimet. Burime pranë grupit hetimor kanë konfirmuar se atentati është kryer nga katër persona; tre qitës të armatosur dhe një shofer, të cilët u nisën nga zona e Niklës për të kryer sulmin e planifikuar.
Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë përdorur një automjet tip “Toyota” me targa të vjedhura në Greqi. Për shkak të dëmeve të rënda nga zjarri, hetuesit ende nuk kanë mundur të lexojnë numrin e shasisë për të përcaktuar origjinën e saktë të mjetit.
Të katër autorët kanë qenë të pajisur me armë zjarri. Burime nga policia bëjnë të ditur se njëri prej qitësve përdori dy armë gjatë sulmit: një kallashnikov për të qëlluar nga brenda automjetit dhe një pistoletë pasi zbriti për t’u siguruar që objektivat ishin neutralizuar.
Pas atentatit, grupi është larguar me shpejtësi në drejtim të Niklës, zonë ku dyshohet se ka pasur mbështetje logjistike. Armët e përdorura janë gjetur më pas në automjetin e djegur, që u përdor për arratisje, ndërsa policia ka nisur krehjen e terrenit për identifikimin e çdo kontakti që mund të ketë ndihmuar autorët.
Hetimet po vazhdojnë në disa pista, përfshirë edhe mundësinë e rrjedhjes së informacionit nga brenda strukturave të sigurisë. Deri më tani, autoritetet po analizojnë të gjitha lëvizjet e viktimës dhe të punonjësit të AMP në orët para ngjarjes, me qëllim identifikimin e saktë të personave që organizuan dhe ekzekutuan atentatin.
