Pas marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës, janë bërë publike listat me deputetët socialistë që do të marrin pjesë në dy komisionet e posaçme parlamentare, të cilat do të udhëheqin proceset e rëndësishme të reformave politike dhe administrative.
Pas votimit në Kuvend për ngritjen e Komisioneve të Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale, Partia Socialiste ka publikuar listën e anëtarëve të saj që do të përfaqësojnë shumicën në këto struktura të reja.
Në Komisionin për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetar do të jetë Damian Gjiknuri, ndërsa përbërja socialiste përfshin Arbjan Maznikun, Bledar Çuçin, Ulsi Manjën, Olsi Komicin, Aurora Marën dhe Ogerta Manastirliun. Anëtarët zëvendësues janë Aulona Bylykbashi, Ermal Pacaj, Ermal Elezi, Erion Malaj dhe Erjona Ismaili.
Ndërsa për Komisionin e Reformës Territoriale, bashkëkryetar është caktuar Arbjan Mazniku. Pjesë e grupit socialist janë gjithashtu Blendi Klosi, Damian Gjiknuri, Romina Kuko, Ermal Pacaj, Marjana Koçeku, Ermal Elezi dhe Klevis Jahaj. Anëtarët zëvendësues të këtij komisioni janë Tërmet Peçi, Etleva Budini, Aulona Bylykbashi, Agron Malaj dhe Vasil Llajo.
Dy komisionet pritet të nisin punën menjëherë pas konstituimit të tyre, me synimin për të përgatitur propozimet përfundimtare për reformën zgjedhore dhe rishikimin e ndarjes administrative të vendit, çështje që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike të vitit të ardhshëm.
