
Dosja e operacionit Last Bet zbulon organizim të lojërave të fatit nga efektivë në disa qarqe, komunikime të përgjuara dhe ndarje fitimesh
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masa sigurie ndaj gjashtë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe një shtetasi civil, në kuadër të operacionit të koduar Last Bet, të zhvilluar në qarqet Elbasan dhe Korçë.
Sipas hetimeve, efektivët dyshohet se kanë shfrytëzuar funksionin shtetëror dhe bashkëpunimin mes tyre për të organizuar, favorizuar dhe ushtruar veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit dhe basteve sportive. Në qendër të procedimit penal qëndrojnë dy punonjës policie, të identifikuar me inicialet E.P. dhe R.T., për të cilët prokuroria ka ngritur dyshime të bazuara në prova se kanë pasur rol aktiv në menaxhimin e skemës.
Nga këqyrja e ekspertimit teknik të celularëve të sekuestruar janë zbuluar komunikime të shpeshta përmes aplikacioneve të komunikimit, ku flitet për vendosje skedinash, humbje dhe fitime, dorëzime parash, borxhe, përqindje fitimi dhe menaxhim llogarish bastesh.
Nga përmbajtja e këtyre komunikimeve rezulton një gjuhë e drejtpërdrejtë bashkëpunimi, ku efektivët diskutonin për ndeshje të sigurta, ndarje parash mujore, dorëzime të të ardhurave nga llotot e paligjshme dhe mbajtjen e përqindjeve për secilin pjesëmarrës. Hetuesit vlerësojnë se këto biseda përbëjnë prova të qarta të organizimit dhe ushtrimit të aktivitetit kriminal.
Sipas të dhënave zyrtare, R.T. është punonjës i Policisë së Shtetit që prej vitit 2016 dhe aktualisht ushtronte detyrën si specialist për krimet në Stacionin e Policisë Manëz, Durrës. Ndërkohë, E.P. ndodhet me masë sigurimi arrest në burg dhe dyshohet gjithashtu për vepra të tjera penale, përfshirë shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënie pasurie dhe prodhimin e shitjen e narkotikëve.
Në dosje janë dokumentuar edhe komunikime mes E.P. dhe shtetasit civil I.T., ku flitet për ndarjen e fitimeve, përqindjet mujore dhe administrimin e faqeve online të basteve. Sipas hetimit, fitimet ndaheshin sipas marrëveshjeve paraprake, ndërsa një pjesë e parave përdorej për mbajtjen aktive të platformave të lojërave të fatit.
Hetimet kanë ngritur dyshime të arsyeshme se veprimet e këtyre punonjësve janë kryer në shkelje të hapur të detyrës dhe në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit, i cili parashikon detyrimin për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale.
Masat e sigurisë janë ekzekutuar ndaj disa funksionarëve policorë në Durrës, Kukës dhe Devoll, përfshirë edhe një efektiv të Njësisë Speciale RENEA, si dhe ndaj një shtetasi civil në Tiranë. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën, përmasat reale të aktivitetit dhe personat e tjerë të përfshirë.
