
Operacioni “Ends” identifikon autorin e dyshuar të vjedhjeve në Mamurras dhe Laç, policia vijon ndjekjen
Policia ka zbardhur tre raste vjedhjeje të ndodhura brenda një dite, të kryera me kanosje me armë zjarri, ndërsa si autor i dyshuar është identifikuar një 30-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit të koduar Ends, pas veprimeve të shpejta hetimore, uniformat blu kanë identifikuar shtetasin E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras, person me precedentë penalë të mëparshëm. Sipas hetimeve, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ai dyshohet se ka vjedhur një automjet taksi, duke kanosur drejtuesin e mjetit me armë.
Më pas, autori i dyshuar ka udhëtuar me automjetin e vjedhur drejt qytetit të Laçit, ku ka kryer dy vjedhje të tjera në karburante. Në të dy rastet, punonjësit janë kanosur me armë zjarri, ndërsa janë marrë shuma parash dhe sende personale.
Automjeti i vjedhur është sekuestruar nga policia si provë materiale, ndërsa strukturat hetimore vijojnë punën për kapjen e 30-vjeçarit dhe dokumentimin e rasteve të tjera kriminale që mund të jenë kryer prej tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
