
Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim akuzohet për disa vjedhje në biznese, në pranga edhe bashkëpunëtori i tij
Policia e Korçës ka zbardhur disa raste vjedhjesh të ndodhura në qytet, duke arrestuar dy shtetas të dyshuar si autorë. Në pranga ka rënë një 28-vjeçar, i identifikuar me iniciale V. I., i cili ishte shpallur më herët në kërkim dhe rezulton me precedentë penalë.
Sipas policisë, i riu dyshohet se ka kryer disa vjedhje në biznese, konkretisht tre televizorë nga një lokal dhe një shumë parash nga një furrë buke në lagjen nr. 7 të qytetit të Korçës.
Në vijim të veprimeve hetimore, uniformat blu arrestuan edhe një 29-vjeçar me iniciale A. Z., i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua një televizor i dyshuar si i vjedhur nga 28-vjeçari, çka e implikon atë si bashkëpunëtor në veprimtarinë kriminale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e vjedhjeve të tjera ku mund të jenë përfshirë këta persona. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.
