
I njohur si Juli i Pashakos, ai tregon se u befasua nga breshëria e plumbave dhe tentoi të largohej me shpejtësi, ndërsa dyshon se ngjarja lidhet me konfliktet e së kaluarës.
Janë zbardhur detaje të reja nga dëshmia e Julian Sulës, 45-vjeçarit që i mbijetoi atentatit të një dite më parë në Lushnjë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:40 pranë stadiumit të qytetit, ku ndaj automjetit të tij u qëllua me breshëri armësh. Sula shpëtoi vetëm me një plagë në këmbë dhe aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në dëshminë e dhënë para policisë, Sula është shprehur se nuk i njeh autorët dhe se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Ai u trondit kur dëgjoi të shtënat dhe pa se plumbat po i drejtoheshin makinës së tij. Sipas dëshmisë, ai tentoi të largohej me shpejtësi për t’i shpëtuar atentatit, ndërsa ka deklaruar se mund të ketë qenë shënjestër për shkak të konflikteve të mëparshme, por nuk mund të përmendë një emër konkret.
Julian Sula njihet në Lushnjë si një figurë e lidhur me përplasjet kriminale të zonës dhe si kundërshtar i hapur i Aldo Bares, një prej emrave kryesorë të bandës së Lushnjes. Ai përmendet edhe për lidhjet e tij me Redjan Rrajën, i dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos.
Në të kaluarën, Sula ka qenë i arrestuar si i dyshuar për atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por është liruar pasi nuk u gjetën prova. Ai u hetua edhe në lidhje me sulmin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, por mohoi çdo përfshirje.
Policia po vijon punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të atentatit, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e konflikteve të hershme në botën kriminale të Lushnjes.
