Është zbardhur dëshmia e vartëses së Belinda Ballukut, Mirzeta Kashnica në SPAK, e cila është shprehur para prokurorëve të posaçëm se është detyruar nga ish-kreu i ARRSH Evis Berberi, që të firmosë për tenderin për ndërtim e tunelit të Llogarasë.
Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, Mirzeta Kashnica është shprehur në SPAK se tek procedura e parë e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e cila është anuluar, në vlerësimin e saj si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion”sh.p.k, i përmbushte kriteret dhe duhej të ishte shpallur fitues.
Ajo deklaron se këtë qëndrim ia ka derguar me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe për dijeni ia ka dërguar edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë. Por, menjëherë sapo e ka dërguar këtë email, pa u mbyllur akoma vlerësimi i komisionit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga shtetasi Evis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me e-mail.
“E pandehura Mirzeta Kashnica deklaron se në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021, për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë, ajo ka nënshkruar, pasi është trysnuar nga shtetasi Evis Berberi, që të vazhdonte me procedurèn”, thuhet në kërkesën që SPAK ka dorëzuar në kuvend për autorizim për të arrestuar zv.kryeministen.
Pas kësaj dëshmie, SPAK thotë se Belinda Balluku ka ushtruar presion mbi vartësen e saj dhe kjo sipas prokurorisë, provohet nga përgjimet
“Në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme, ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K.(vartëse e saj)”, thotë SPAK.
Dëshmia
Datë 10 nëntor 2025
E pandehura Mirzeta Kashnica ka deklaruar se i kujtohet se tek procedura e parë e prokurimit për ndertimin e tunelit të Llogarasë, e cila është anuluar, në vlerësimin e saj si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion”sh.p.k, i përmbushte kriteret dhe duhej të ishte shpallur fitues.
Ajo deklaron se këtë qëndrim ia ka derguar me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe për dijeni ia ka dërguar edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë.
Ajo deklaron se menjëherë sapo e ka dërguar këtë email, në orën 17:05, pa u mbyllur akoma vlerësimi i komisionit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga shtetasi Evis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me email.
Pasi ai kishte folur dhe kjo procedurë ishte mbyllur, do të anulohej, pasi nuk ishte asnjëri nga operatorët ekonomik në rregull.
E pandehura Mirzeta Kashnica deklaron se në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021, për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë, ajo ka nënshkruar, pasi është trysnuar nga shtetasi Evis Berberi, që të vazhdonte me procedurèn.
Ajo deklaron se shtetasi Evis Berberi ishte anëtar i komisionit, si dhe personi që diktonte vendimmarrjen e komisionit. Në lidhje me procedurën e prokurimit të rishpallur me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” ajo deklaron se sa herë mblidhej komisioni, anëtarët e tjerë të komisionit i kishin marrë vendimet me njëri-tjetrin dhe e intimidonin atë në lidhje me qëndrimet e saj.
SPAK thekson se Balluku po frikëson dëshmitarët e kjo është një nga arsyet që kërkon dhe leje për arrest.
“Në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme, ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K.(vartëse e saj)”, thotë SPAK.
