
Autori portugez gjendet i vdekur, hetimet zbulojnë lidhje mes dy ngjarjeve të rënda që tronditën SHBA
Autoritetet amerikane kanë konfirmuar se autori i sulmit masiv në Brown University, ku u vranë dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, është gjetur i vdekur. Sipas policisë së Rhode Island, i dyshuari është Claudio Valente, 48 vjeç, shtetas portugez me adresë të fundit të njohur në Miami, i cili i ka dhënë fund jetës pas ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën pasdite, kur një person i maskuar hyri në ndërtesën Barus and Holley të universitetit gjatë një seance përgatitore për provimet finale, hapi zjarr dhe më pas u largua. Viktimat fatale ishin Ella Cook, 19 vjeçe nga Alabama, dhe MukhammadAziz Umurzokov, 18 vjeç nga Uzbekistani.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu një lidhje mes këtij sulmi dhe vrasjes së profesorit të Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit, Nuno F.G. Loureiro. Profesori 47-vjeçar u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Brookline të Masaçusetsit dhe ndërroi jetë në spital një ditë më vonë. Prokurorja federale për distriktin e Masaçusetsit ka deklaruar se Valente është përgjegjës edhe për këtë vrasje.
Sipas hetimeve, dy ngjarjet lidhen përmes automjetit të përdorur nga i dyshuari. Makina ishte marrë me qira në Boston, u pa pranë kampusit të Brown University dhe u identifikua në pamjet e kamerave të sigurisë. Burime zyrtare bëjnë me dije se Valente dhe profesori Loureiro dyshohet se kanë ndjekur të njëjtin institucion arsimor në Lisbonë, Portugali, çka po analizohet si një pistë e mundshme hetimi.
Shefi i policisë së Providence deklaroi se autori ka vepruar i vetëm. Ndërkohë, presidentja e Brown University sqaroi se Valente kishte qenë student në fillim të viteve 2000, por ishte tërhequr zyrtarisht nga universiteti në vitin 2003 dhe nuk kishte më asnjë lidhje aktive me institucionin.
Autoritetet amerikane kanë pranuar se motivet e sulmeve mbeten ende të paqarta. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe arsyet që çuan në këto dy ngjarje tragjike, të cilat kanë tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara.
