
SPAK shkund botën e krimit; nga korrupsioni me pronat në Hamallaj, te mesazhet e koduara në “Sky”, që çuan në zbardhjen e ekzekutimit mafioz të Edmir Bregut në 2021.
Një hetim i nisur prej vitit 2020 për aferat korruptive me pronat në Hamallaj ka rezultuar fatal për disa nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri. SPAK ka lëshuar masa të reja “arrest me burg” për Astrit Avdylin, Aldo alias Elidon Avdylin, Aleksandër Lahon alias “Rrumi” dhe pesë persona të tjerë, mes të cilëve edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume.
Dosja fillestare, ku Aleksandër Laho dhe ish-juristi i Avokaturës së Shtetit, Irgen Kërçuku, ishin dënuar për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, u nda nga SPAK dhe u pasurua me të dhëna të reja të siguruara nga aplikacioni i koduar “Sky”, i dekoduar nga Europol dhe autoritetet belge.
Hetuesit zbuluan se pas kodeve të kriptuara “Q1CTJT” (Aldo Avdyli) dhe “TEDV40” (Astrit Avdyli) fshiheshin urdhra për organizimin e një atentati mafioz. Bisedat në “Sky” provuan se pikërisht ky grup ishte prapa vrasjes së Edmir Koçit, i njohur si “Bregu”, i ekzekutuar më 21 janar 2021 në Durrës.
Sipas SPAK, motivi i atentatit ishte hakmarrja: Avdylajt kishin mësuar se Bregu planifikonte të vriste Aldo Avdylin dhe vendosën ta eliminonin të parët. Në këtë ngjarje, sipas provave, ka ndihmuar edhe Enea Kume, i cili dyshohet se ka pasur rol logjistik në ekzekutim.
Ky zhvillim i fundit trondit jo vetëm botën e krimit, por edhe skenën politike, duke sjellë emrin e një familjari të një deputeti në dosjen e radhës të SPAK.