Autoritetet sllovene kanë bllokuar 15 mijë kilogramë kastravecë pas një analize që zbuloi prani të medikamentit paracetamol në produktet e importuara nga India, në atë që konsiderohet si rasti i parë i këtij lloji në Evropë.
Një rast i pazakontë ushqimor ka tronditur autoritetet e sigurisë ushqimore në Slloveni, pasi në një kontroll rutinë të produkteve të konservuara është zbuluar prania e ilaçit paracetamol në kastravecët turshi të importuar nga India. Rezultatet laboratorike konfirmuan se përbërja e ilaçit arrinte në rreth 30 miligramë për kilogram të produktit.
Menjëherë pas konstatimit, autoritetet sllovene bllokuan 15 mijë kilogramë kastravecë të ndotur dhe njoftuan Komisionin Evropian për incidentin. Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për ndotje aksidentale gjatë prodhimit ose për një veprim të qëllimshëm.
Sipas raportimeve të medias rajonale Danas.hr, Inspektorati Shtetëror i Kroacisë ka sqaruar se asnjë sasi e këtij produkti nuk është shpërndarë në tregun kroat dhe deri më tani nuk ka raste të ngjashme të pranishme në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Ekspertja e bioteknologjisë ushqimore, profesoresha Maja Rapajiç nga Universiteti i Zagrebit, ka shpjeguar se paracetamoli nuk ka asnjë funksion në procesin normal të prodhimit të turshive dhe se prania e tij mund të lidhet me ndotje gjatë fazave të rritjes së bimëve.
Në procesin e zakonshëm të përgatitjes së kastravecëve turshi përdoren vetëm ujë, uthull, kripë, sheqer dhe erëza. Gjatë konservimit, produktet pasterizohen për të parandaluar çdo infeksion bakterial. Por në këtë rast, ndotja mund të ketë ardhur nga përdorimi i ujit të kontaminuar ose nga materialet që janë përdorur në procesin e fermentimit, ka shtuar Rapajiç.
Ende nuk dihet nëse paracetamoli është futur qëllimisht për të zgjatur jetëgjatësinë e produktit apo për arsye të tjera të paidentifikuara. Hetimet e laboratorëve evropianë pritet të japin përgjigje në ditët në vijim, ndërsa rasti ka ngritur sërish shqetësimin për kontrollet e cilësisë mbi produktet ushqimore të importuara nga tregjet aziatike.
