Një helmetë legjionari romak i shekullit II, i gjetur në Sremska Mitrovica, ka ngritur dyshime për trafik të paligjshëm pas shfaqjes së tij në një ankand privat në Teksas me çmim deri në 45 mijë dollarë.
Një helmetë romake i tipit “Weisenau” ose “imperial-gallic”, që daton nga shekulli i dytë pas Krishtit, ka ndezur një debat të ashpër ndërkombëtar pasi u vu në shitje në një ankand online privat në Shtetet e Bashkuara. Sipas ekspertëve serbë, objekti është gjetur në rrethinat e qytetit antik Sirmium (Sremska Mitrovica) dhe rrethanat e daljes së tij nga Serbia janë jashtëzakonisht të dyshimta.
Helmeta, e punuar në bronz dhe e ruajtur në gjendje të shkëlqyer, ka një mbrojtëse të gjatë për qafën dhe pllaka anësore për faqet, të dekoruara me kujdes. Ajo që e bën veçanërisht të vlefshme është mbishkrimi në pjesën e pasme ku lexohet: “APPIVS°LEG°IIII°FL”, që lidhet me një ushtar romak të Legjionit IV Flavia Felix, të dislokuar në Singidunum (Beogradin e sotëm).
Shtëpia e ankandeve “Treasure Trove Auctions” me bazë në Teksas, e cila ka vendosur çmimin e shitjes mes 15 mijë dhe 45 mijë dollarësh, mohon çdo shkelje ligjore, duke deklaruar se helmeta është restauruar profesionalisht dhe është eksportuar me leje zyrtare. Por ekspertët serbë të trashëgimisë kulturore e kundërshtojnë këtë pretendim, duke theksuar se sipas ligjeve të Serbisë, çdo objekt me vlerë historike të jashtëzakonshme është pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe ndalohet të eksportohet apo të shitet pa miratim shtetëror.
“Ky objekt përfaqëson një dëshmi unike të historisë romake në Ballkan dhe nuk duhet të përfundojë në duart e koleksionistëve privatë jashtë vendit,” ka deklaruar Vesna Djordjević, konservatore në Muzeun Kombëtar të Beogradit. Sipas saj, Serbia po përballet me një valë të re kontrabande arkeologjike që po zbraz trashëgiminë kulturore të vendit.
Nëse vërtetohet se helmeta është marrë nga një vend arkeologjik pa njoftuar autoritetet, rasti mund të përbëjë shkelje të rëndë të ligjit serb. Organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë i kanë bërë thirrje SHBA të pezullojë ankandin derisa të sqarohet origjina e objektit.
“Trashëgimia kulturore nuk është mall tregu,” theksoi Djordjević, “çdo shitje e paautorizuar është një humbje për historinë dhe për njerëzimin.”
