Një gur i rrallë, me përzierje perfekte mes rozës dhe transparencës, ka dalë në dritë në minierën Karowe dhe vlerësohet të kapë shifra marramendëse në ankandet ndërkombëtare.
Në një zbulim që ka tërhequr vëmendjen e gjithë industrisë së bizhuterive, një diamant gjysmë rozë dhe gjysmë i tejdukshëm është nxjerrë nga nëntoka e Botsvanës, në minierën e njohur Karowe. Me një peshë prej 37.41 karatësh, ose rreth 7.5 gramë, ky gur i çmuar i përmasave 2.5 centimetra është cilësuar nga ekspertët si një nga diamantet më të rrallë dhe më të veçantë të historisë moderne.
Pamja e tij, e ndarë qartësisht mes një gjysme me ngjyrë rozë të butë dhe tjetrës pa ngjyrë, ka lënë pa fjalë gjeologët dhe përpunuesit e gurëve të çmuar. “Një gur i tillë është fenomen gjeologjik dhe artistik njëkohësisht. Ka potencialin të futet mes diamantëve më të rëndësishëm që janë zbuluar ndonjëherë,” është shprehur Oded Mansori, bashkëthemelues i kompanisë belge HB Antwerp, e cila do të merret me përpunimin dhe vlerësimin e gurit.
Sipas analizave të para, diamanti është formuar më shumë se tre miliardë vite më parë, në thellësi të mëdha të Tokës, nën presione dhe temperatura ekstreme. Ndryshe nga gurët e tjerë me ngjyra, rozëja e tij nuk është rezultat i përzierjeve kimike, por i deformimeve mikroskopike në strukturën e karbonit, një mrekulli natyrore që e bën çdo nuancë të tij unike.
Ekspertët e tregut ndërkombëtar vlerësojnë se nëse diamanti del në ankand, vlera e tij mund të arrijë disa dhjetëra miliona dollarë, duke e renditur në të njëjtën kategori me gurët legjendarë si “Pink Star” apo “Winston Pink Legacy”.
Zbulimi i këtij diamanti ka kthyer sërish sytë e botës drejt Botsvanës, e cila tashmë është një nga prodhueset kryesore të diamanteve në planet dhe që çdo vit befasojnë me thesaret që mbart toka e saj.
