
Policia e lidh ngjarjen me përplasjet mes grupeve kriminale dhe trafikun e drogës në provincën Manabi
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Ekuador, pasi autoritetet kanë konfirmuar se në një plazh turistik janë gjetur mbetje njerëzore të varura në shtylla druri. Ngjarja ka ndodhur në zonën bregdetare të Puerto López, një destinacion i njohur për turizëm dhe vëzhgimin e balenave.
Sipas policisë, pranë vendngjarjes është gjetur edhe një mesazh kërcënues, i drejtuar ndaj personave që dyshohet se zhvasin peshkatarët lokalë. Autoritetet dyshojnë se ky akt lidhet me një konflikt mes grupeve kriminale që veprojnë në zonë.
Në raportin paraprak, policia thekson se në rajon janë aktive rrjete të trafikut të drogës, të lidhura me kartele ndërkombëtare, të cilat shfrytëzojnë peshkatarët dhe mjetet e tyre të vogla lundruese për aktivitete të paligjshme. Përplasjet për territor dhe kontroll të rrugëve të trafikut të drogës kanë sjellë një përshkallëzim të dhunës në provincën Manabi.
Ngjarja vjen në një kohë kur në disa provinca të vendit, përfshirë Manabin, është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Kjo masë synon frenimin e dhunës, veçanërisht në zonat bregdetare, dhe parashikon kufizime të caktuara të të drejtave civile, si dhe rritje të pranisë policore.
Autoritetet kanë shtuar kontrollet dhe operacionet e sigurisë në Puerto López, pas disa episodeve të rënda të dhunës të ndodhura javët e fundit. Ekuadori po përballet prej vitesh me një krizë të thellë sigurie, ndërsa viti 2025 është shënuar si më i dhunshmi në historinë e vendit, me mbi 9 mijë vrasje të regjistruara sipas shifrave zyrtare.
