
Gazetari Dashamir Biçaku zbulon se atentati ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit ishte planifikuar të ndodhte disa ditë përpara ekzekutimit, në ditën kur Dani do të udhëtonte drejt Barcelonës, por organizatorët u tërhoqën për shkak të pranisë së shtuar të policisë dhe Gardës.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin ndaj Gilmando Danit, i cili u ekzekutua me armë automatike në zonën e Rinasit, ngjarje që ka tronditur opinionin publik për mënyrën e realizimit dhe vendin ku ndodhi. Gazetari Dashamir Biçaku, në emisionin “Trialog” në TVSH, ka bërë të ditur se sulmi ishte planifikuar të ndodhte disa ditë më herët, por atentatorët u tërhoqën për arsye sigurie.
Sipas Biçakut, burimet policore konfirmojnë se atentati ishte parashikuar për ditën kur Dani do të udhëtonte drejt Barcelonës. Megjithatë, prania e delegacioneve të huaja dhe masat e shtuara të sigurisë atë ditë bënë që grupi ekzekutues të mos vepronte. “Sipas informacioneve që kam marrë nga ish-oficerë dhe burime brenda policisë, atentati ishte planifikuar më herët, por është shtyrë për shkak të pranisë së efektivëve të shumtë të Gardës dhe Policisë. Organizatorët kanë pritur momentin e duhur për ta realizuar,” tha gazetari.
Ngjarja përfundimisht u zhvillua katër ditë më vonë, në rrethrrotullimin e Rinasit, ku Gilmando Dani, 47 vjeç, humbi jetën në vend, ndërsa Muçi Shaljani, 40 vjeç, mbeti rëndë i plagosur pas një breshërie plumbash. Sipas hetimeve paraprake, autorët ishin të paktën tre persona, që vepruan me saktësi të lartë dhe u tërhoqën në mënyrë të koordinuar.
Policia ka sekuestruar disa prova materiale dhe vijon analizën e komunikimeve telefonike të viktimave, për të zbuluar rrjetin e organizatorëve dhe motivet e mundshme të atentatit. Hetimet janë përqendruar në disa pista, përfshirë konfliktet financiare dhe prapaskena të botës së krimit.
Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se informacioni për atentatin e dështuar është tashmë pjesë e dosjes zyrtare dhe po verifikohet në detaje nga strukturat e specializuara të policisë.
