
Çifti i njohur pritet të kurorëzohet më 13 qershor 2026 në Rhode Island, datë që lidhet fort me numrin 13, të preferuarin e Swift dhe që sipas numerologjisë mban kuptimin e një cikli të ri.
Taylor Swift dhe Travis Kelce duket se janë një hap më pranë dasmës së shumëpritur. Sipas burimeve të Page Six, këngëtarja 35-vjeçare dhe ylli i futbollit amerikan 36-vjeçar kanë zgjedhur të martohen të shtunën, më 13 qershor 2026, në resortin luksoz Ocean House në Watch Hill, Rhode Island. Data ka rëndësi të veçantë për Swift, e cila prej vitesh lidhet simbolikisht me numrin 13 – aq sa thuhet se ajo shpenzoi një shumë të konsiderueshme për të blerë këtë datë nga një nuse tjetër që e kishte rezervuar më herët të njëjtin vend.
E veçanta nuk përfundon me kaq. Kur shënohet numerikisht 6/13/26, shuma e numrave shkon në 18 dhe më pas në 9, numër që sipas interpretimit numerologjik përfaqëson përmbylljen e një cikli dhe fillimin e një tjetri. Fansat e Swift, të njohur për dekodimin e detajeve të fshehta dhe simboleve që ajo lë shpesh në materiale artistike, e kanë komentuar gjerësisht këtë zgjedhje si një “easter egg” të qëllimshëm.
Çifti u fejua në gusht dhe burime të afërta kanë treguar se ata janë të paduruar të kurorëzohen, madje se dëshira për të krijuar familje ka përshpejtuar planet. Fillimisht dasma mendohej të ishte intime dhe me pak të ftuar, por duke parë listën gjithnjë në rritje, Swift dhe Kelce po shqyrtojnë hapësira më të mëdha, që nga rezidenca e saj në Rhode Island, deri tek një fermë në Tennessee apo edhe një ishull privat në Karaibe.
Për momentin, përfaqësuesit e çiftit nuk kanë dhënë koment, por raportimet e reja kanë ndezur entuziazmin e fansave që prej muajsh ndjekin çdo detaj të lidhjes së tyre. Fansat tashmë presin me kuriozitet detajet e tjera të asaj që pritet të jetë një nga dasmat më të bujshme të vitit 2026.
