
44-vjeçari Francesk Shkambi u ekzekutua në verandën e lokalit të tij në Detroit; i dyshuari dorëzohet pas 20 minutash
Detaje të reja kanë dalë në dritë pas vrasjes së 44-vjeçarit shqiptar Francesk Shkambi në Detroit, i cili u qëllua për vdekje në verandën e restorantit të tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40, kur autori e thirri viktimën jashtë lokalit dhe më pas e qëlloi me armë zjarri.
Policia mbërriti menjëherë në vendin e krimit, duke gjetur Shkambin të pajetë në hyrje të lokalit. Vetëm 20 minuta pas ngjarjes, i dyshuari kryesor u dorëzua në komisariat. Ai është identifikuar si Tonin Pjetri, banor i Farmington Hills, ndërsa arma e krimit është sekuestruar dhe rezulton e raportuar më herët si e vjedhur.
Nipi i viktimës, Mark Gjura, ka treguar për CBS Detroit se autori nuk ishte një i panjohur për familjen. Përkundrazi, ai thotë se Pjetri kishte qenë mik i Shkambit dhe kishte darkuar disa herë me ta.
“Gjatë ndeshjes së Lions mora një telefonatë që kishte pasur të shtëna. Mamaja më tha menjëherë: ‘Është Franco’. Ne u nisëm të gjithë për në spital si familje,” rrëfeu Gjura.
Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se Shkambi kishte një të shkuar problematike me drejtësinë. Në vitin 2013 ai ishte dënuar për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike, përfshirë kokainë, heroinë, marihuanë dhe ekstazi. Ai ishte liruar nga burgu në dhjetor të vitit 2024.
Hetimet për motivin e vrasjes vijojnë, ndërsa komuniteti shqiptar në Detroit është tronditur nga ngjarja, veçanërisht për faktin se autori dyshohet të ketë qenë mik i viktimës.
