
Një libër i ri ekspozon jetën e fshehtë të presidentit rus, lidhjet me modele, pastruese dhe sportiste, si dhe pasuritë marramendëse që i shoqërojnë, tablo e pushtetit, luksit dhe frikës në oborrin e “carit modern” të Moskës.
Në Rusi, jeta personale e Vladimir Putinit është prej vitesh një tabu e rreptë. Gazetarët e dinë se ka një rregull të pashkruar: “Mos prek familjen e presidentit.” Por tani, një libër i ri me titull Cari vetë: “Si na mashtroi Vladimir Putini të gjithëve” po trondit Kremlinin dhe botën. Autorët e tij, gazetarët rusë në mërgim Roman Badanin dhe Mikhail Rubin, zbulojnë me detaje jetën intime të njeriut më të fuqishëm të Rusisë; një jetë e mbushur me lidhje të fshehta, dhurata luksoze dhe një harem që përfshin gra të ndryshme nga shtresa të zakonshme e deri te ikonat kombëtare.
Historia nis në fund të viteve ’90, kur Putin, atëherë kryeministër dhe në prag të presidencës, njihet me një pastruese të quajtur Svetlana Krivonogikh. Nga një grua e thjeshtë e Shën Petersburgut, ajo u shndërrua në një milionere me prona në Monako, Moskë dhe St. Petersburg. Në vitin 2021, Pandora Papers zbuluan se pasuria e saj i kalonte 78 milionë paundë, përfshirë një apartament luksoz prej 2.9 milionë paundësh në Monte Carlo. Bashkë me të, erdhi në jetë edhe një vajzë, Luiza Rozova, që ngjason aq shumë me Putinin, sa një analizë shkencore britanike gjeti 70% ngjashmëri në tipare. Kremlini e mohoi lidhjen, por emri i saj “Vladimirovna” në dokumentet e lindjes e tradhton origjinën.

Në të njëjtën kohë, lidhjet e Putinit me botën e argëtimit dhe erotikës ruse ishin tashmë një sekret publik. Si zëvendës-kryetar i Shën Petersburgut në fillim të viteve ’90, ai frekuentonte klubin e njohur të striptizmit “Luna”, ku, sipas burimeve të librit, zhvillonte takime private në dhomat e sipërme të lokalit. Aty nisi edhe rrjeti i tij i parë informal me truprojat dhe oligarkët që më vonë do ta ndihmonin të ngjitej në majat e pushtetit.
Por lidhja më e njohur e presidentit rus mbetet ajo me kampionen olimpike Alina Kabaeva. E njohur si “gruaja e hekurt e Rusisë” për aftësitë e saj akrobatike në gjimnastikë ritmike, ajo fitoi medaljen e artë në Athinë më 2004 dhe, pak pas fitores, u prezantua me Putinin nga trajnerja e saj Irina Viner, bashkëshortja e oligarkut Alisher Usmanov. Ajo që nisi si një takim ceremonial, u shndërrua në një marrëdhënie që tronditi vendin dhe i kushtoi karrierën disa gazetarëve.

Në vitin 2008, tabloidi Moskovsky Korrespondent botoi lajmin se Putini dhe Kabaeva do të martoheshin. Reagimi i Kremlinit ishte brutal: redaktori i gazetës u mor në pyetje nga FSB, redaksia u mbyll, dhe brenda pak javësh gazeta pushoi së ekzistuari. Vetë Putin, gjatë një konference me Silvio Berlusconin, iu përgjigj pyetjes së një gazetari me fjalët “Më neveritin ata që fusin hundët e tyre të pista në jetën e të tjerëve.” Ishte një paralajmërim për çdo media që guxonte të hynte në territorin e ndaluar të jetës së tij private.
Megjithatë, lidhja me Kabaevën mbijetoi. Sipas burimeve perëndimore, ajo ka dy djem me Putinin, ndërsa në vitin 2014 u emërua drejtuese e National Media Group me një pagë prej 7.7 milionë paundësh në vit. Ajo zotëron gjithashtu pjesë në Bankën Rossiya, një nga institucionet më të mëdha financiare të vendit. Kabaeva është parë si “Zonja e Parë e fshehtë” e Rusisë, megjithëse kurrë nuk është shfaqur publikisht krah presidentit.
Në librin e tyre, Badanin dhe Rubin tregojnë se në botën e Putinit, besnikëria martesore është e pavlerë. “Në rrethin e tij, poligamia dhe tradhtia janë normë, ndërsa çdo grua e lidhur me një burrë me pushtet e di se fati i saj, pasuria dhe siguria varen vetëm prej tij,” shkruajnë ata.
Përveç Kabaevës dhe Krivonogikh, libri përmend edhe figura të tjera më pak të njohura, si Alisa Kharcheva, një studente që pozoi për një kalendar erotik në ditëlindjen e 58-të të Putinit me mbishkrimin “Vladimir Vladimirovich, ju jeni më i miri”. Pak vite më vonë, ajo nisi të jetonte në një apartament luksoz në një nga lagjet më të shtrenjta të Moskës.

Pas ndarjes nga bashkëshortja e tij Lyudmila në vitin 2014, pas gati tri dekadash martesë, Putin duket se nuk ka ndaluar asnjëherë së krijuari lidhje të reja. Ish-gruaja e përshkruante si “vampir”, ndërsa ai e quante veten “hero” për faktin që mund të kishte duruar martesën kaq gjatë.

Në fund, historia e haremit të Putinit është më shumë sesa një rrëfim mbi pasionet e një njeriu të fuqishëm; është një pasqyrë e sistemit që ai vetë ka krijuar. Një sistem ku pushteti shndërrohet në erotizëm, pasuria në bindje, dhe frika në heshtje.
Roman Badanin e kuptoi këtë më mirë se kushdo. Pas një bastisjeje nga FSB për shkak të një interviste me vajzën e dyshuar të Putinit, ai u detyrua të largohej nga vendi, duke e përshkruar përvojën si një kujtesë se në Rusi, e vërteta mbi carin është krim.
Sot, ndërsa Putini paraqitet si simbol i vlerave tradicionale dhe mbrojtës i familjes ruse, libri e zhvesh këtë imazh, duke shfaqur një realitet të fshehur prej dekadash, një perandori intime, ku gratë shpërblehen me pasuri për heshtjen dhe përulësinë e tyre. Dhe megjithëse shumë gjëra mbeten të fshehta, një gjë duket e qartë: asnjë gazetar nuk mund t’i afrohet këtij haremi pa paguar një çmim./DailyMail