Karabinierët çmontojnë një rrjet të strukturuar narkotrafiku dhe sekuestrojnë 34 kg kokainë me vlerë mbi 1 milion euro
Autoritetet italiane kanë goditur një tjetër organizatë të trafikimit të lëndëve narkotike, duke zbuluar një laborator modern për përpunimin dhe shpërndarjen e drogës në zonën e Firences.
Operacioni u zhvillua nga Karabinierët, të cilët prej kohësh kishin nën vëzhgim një aktivitet të dyshimtë. Gjatë kontrollit u zbulua një rafineri e plotë për përpunimin e kokainës, ndërsa u sekuestruan 34 kilogramë lëndë narkotike, me një vlerë tregu mbi 1 milion euro në çmim shumice.
Në pranga ranë katër persona, një shtetas shqiptar 54-vjeçar dhe tre shtetas kolumbianë, të cilët dyshohet se ishin edhe organizatorët kryesorë të aktivitetit kriminal. Sipas njoftimit zyrtar, arrestimet u kryen më 19 janar nga Njësia Operacionale e Karabinierëve të Kompanisë Empoli.
Hetimet nisën pasi efektivët konstatuan lëvizje të pazakonta pranë banesës së shqiptarit. Gjatë kontrollit të ambienteve ndihmëse pas shtëpisë, u zbulua një laborator i mirëorganizuar, i pajisur me presa, peshore, furra, pompa, makina paketimi me vakum, rezervuarë, materiale prerëse dhe sasi të mëdha kokaine të gatshme për shpërndarje.
Autoritetet italiane theksojnë se ky operacion është pjesë e një serie goditjesh kundër rrjeteve ndërkombëtare të narkotrafikut dhe se hetimet vijojnë për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme kriminale brenda dhe jashtë territorit italian.

