
Hetimet në Greqi hedhin poshtë alibitë e 22-vjeçarit greko-britanik, i cili akuzohet për vrasjen e pronarit të kampingut dhe punëtorit shqiptar që kishte lënë pasurinë në emër të tij.
Autoritetet greke kanë zbuluar detaje të reja tronditëse nga ngjarja e 5 tetorit në Finikounda, ku u ekzekutuan pronari grek i një kampingu dhe i dashuri i tij shqiptar. Njëri nga të arrestuarit, një 22-vjeçar greko-britanik, kishte pretenduar se pas krimit ishte arratisur duke notuar për orë të tëra deri në qytetin e Kalamatës.
Por hetuesit gjetën mospërputhje të theksuara në dëshminë e tij. Pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë të riun duke ecur pranë stacionit të autobusëve në Kalamata një ditë pas ngjarjes, i veshur ndryshe nga nata e vrasjes.
Sipas policisë, 22-vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij u mbajtën për orë të tëra në marrje në pyetje; një proces që zgjati deri në orën 4 të mëngjesit. Gjatë dëshmisë, secili prej tyre fajësoi tjetrin si autorin kryesor të krimit. Avokati i të riut greko-britanik, Dimitris Gavelas, deklaroi se klienti i tij nuk ishte qitësi, duke e quajtur identifikimin e tij “të pasaktë dhe kontradiktor”.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa prokuroria po analizon provat video dhe dëshmitë për të përcaktuar rolin e secilit në vrasjen që ka tronditur opinionin publik në Greqi e më gjerë.