
Pas më shumë se gjysmë shekulli, gazetari amerikan Carl Hoffman hedh dritë mbi zhdukjen e birit të familjes Rockefeller në Guinenë e Re, mes ritualeve, hakmarrjes dhe përplasjes së botëve.
Në nëntor të vitit 1961, Michael Rockefeller, djali 23-vjeçar i miliarderit amerikan Nelson Rockefeller, u zhduk në brigjet e Guinesë së Re Holandeze. I apasionuar pas artit primitiv, ai kishte udhëtuar për të mbledhur objekte të shenjta për muzeun e të atit. Aventura u kthye në mister, kur katamarani i tij u përmbys dhe ai u hodh në det për të notuar drejt bregut. Nuk u pa më kurrë. Versioni zyrtar tha se ai ishte mbytur, por trupi nuk u gjet asnjëherë.
Gjysmë shekulli më vonë, gazetari amerikan Carl Hoffman ndërmori një hetim të gjerë për të zbuluar të vërtetën. Ai kaloi muaj mes fiseve Asmat në Papua, duke studiuar dokumente e dëshmi të harruara. Sipas tij, Michael Rockefeller nuk u mbyt, por u vra duke u ngrënë nga banorët e fshatit Otsjanep, si pjesë e një hakmarrjeje ndaj një ekspedite ndëshkuese të holandezëve në vitin 1958.
Në atë kohë, Asmatët jetonin sipas një kodi shpirtëror që kërkonte rikthimin e ekuilibrit përmes gjakut. I lodhur dhe pa mbrojtje, i riu amerikan mund të jetë parë prej tyre si “njeriu i bardhë” që duhej flijuar për të qetësuar shpirtrat. Hoffman argumenton se autoritetet koloniale e fshehën të vërtetën për të ruajtur imazhin e Hollandës në botë.
Në librin e tij “Fati tragjik i Michael Rockefeller“, Hoffman kritikon si familjen Rockefeller, që u pajtua shpejt me versionin e mbytjes, ashtu edhe vetë Michaelin, që hyri me naivitet në një botë që nuk e kuptonte. Ai e përshkruan si një të ri që kërkonte të çlirohej nga emri i tij i madh dhe të gjente kuptimin e jetës në vendet më të izoluara të planetit.
Historia e tij mbetet një nga misteret më të çuditshme të shekullit XX, ku idealizmi perëndimor u përplas me ligjet e lashta të një bote që jetonte ende nën hijen e shpirtërave dhe hakmarrjes.