
49-vjeçari nga Tirana, që prezantohej si prokuror i SPAK, kishte krijuar një rrjet mashtrimi me të rinj, përdorte emra të rremë dhe përfitonte para, ushqim e akomodim falas
Një histori absurde mashtrimi është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës, ku një 49-vjeçar, Albano Muco, ka arritur të mashtrojë qytetarë e biznese duke u prezantuar si prokuror i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për disa javë, ai ka jetuar në luks, ka pasur shofer personal, ka ngrënë në restorante të shtrenjta dhe ka qëndruar në hotele pa paguar asnjë qindarkë.
Sipas dosjes hetimore, Muco përdorte disa identitete, përfshirë emrat “Luan Muco” dhe “Hermes Muco”, dhe kishte ngritur një grup mashtrimi në WhatsApp të quajtur “Gjuetia”. Në këtë grup ai përfshinte të rinj që i bindeshin verbërisht, duke u thënë se ishin pjesë e misioneve sekrete të Ministrisë së Drejtësisë. Ai u premtonte deri në 600,000 lekë për çdo operacion të kryer me sukses, ndërsa i kërcënonte me 10 vite burg nëse zbulonin sekretet e shtetit.
Për të bërë rolin e tij sa më bindës, mashtruesi vizitonte rregullisht institucione si SPAK, Gjykata e Apelit dhe Ministria e Drejtësisë, ku qëndronte disa minuta dhe dilte me letra në duar për të lënë përshtypjen e një prokurori të vërtetë. Ai lëvizte gjithmonë me shofer personal, duke përdorur makina të ndryshme, ndërsa udhëtonte edhe jashtë Tiranës për misione imagjinare.
Një nga viktimat, një grua që i kishte dhënë shtëpi me qira, tregoi se ai nuk kishte paguar asnjëherë qiranë prej 60,000 lekësh në muaj, ndërsa i kishte kërkuar asaj të gatuante çdo ditë ushqime të shtrenjta. Vetëm për ushqim, sipas saj, Muco kishte krijuar borxhe rreth 200,000 lekë.
Skema mashtruese u zbulua pas disa kallëzimeve të qytetarëve që dyshuan për sjelljen e tij, ndërsa policia e arrestoi në flagrancë pas disa javësh ndjekjeje.
Hetuesit po verifikojnë nëse 49-vjeçari ka arritur të mashtrojë edhe subjekte të tjera nën pretekstin e bashkëpunimit me SPAK. Rasti ka tronditur opinionin publik, duke ngritur pikëpyetje mbi lehtësinë me të cilën një person pa asnjë funksion real ka mundur të krijojë një botë paralele të autoritetit dhe frikës, duke e përdorur për përfitime personale.