
Operacioni Brands 2 çon në arrestimin e një shtetasi turk, një tjetër shpallet në kërkim dhe sekuestrohen sasi të mëdha mallrash të kontrabanduara
Një magazinë në Kamëz, ku stampoheshin veshje dhe këpucë me logo false të markave të njohura ndërkombëtare si Tommy Hilfiger dhe Lacoste, është zbuluar nga Policia e Shtetit gjatë operacionit të koduar Brands 2.
Operacioni është finalizuar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme Shqiponja.
Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestua shtetasi turk Ozkan Sulun, 46 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi tjetër turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç. Gjithashtu, materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për tre punonjëse të magazinës, shtetaset L. M., Sh. M. dhe Sh. B.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë konstatuan sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh që dyshohet se kishin shmangur detyrimet doganore. Po ashtu, u sekuestruan makineri lazeri për printim dhe stampim, stampa dhe logo të markave të njohura ndërkombëtare, një telefon celular, si dhe dokumente e sende të tjera që pritet t’i shërbejnë hetimit.
Sipas Policisë, mallrat e kontrabanduara pajiseshin me logo false për t’u hedhur më pas në treg si produkte origjinale. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po thellohen për të zbardhur të gjithë aktivitetin kriminal dhe personat e përfshirë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, për veprat penale që lidhen me shkeljen e të drejtave të pronësisë industriale, kontrabandën, tregtimin dhe ruajtjen e mallrave kontrabandë, punësimin e paligjshëm, fshehjen e të ardhurave dhe falsifikimin e stampave dhe formularëve.
