
Faza e 13-të e operacionit STORM çon në pranga një 52-vjeçare dhe zbulon dy apartamente të përshtatura për aktivitet të paligjshëm në Vollgë dhe Plazh
Policia ka zbuluar dhe goditur një rrjet prostitucioni në Durrës, duke finalizuar fazën e 13-të të operacionit policor të koduar STORM. Si rezultat i ndërhyrjes, është arrestuar një shtetase nga Armenia, e dyshuar si organizatore e aktivitetit kriminal, ndërsa janë proceduar penalisht një shtetase nga Peruja dhe tre shtetas shqiptarë.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi dyjavor me metoda speciale u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale. Gjatë operacionit, policia ndërhyri në dy apartamente të marra me qira, një në zonën e Vollgës në lagjen nr. 1 dhe një tjetër në zonën e Plazhit në lagjen nr. 13, të cilat ishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Në momentin e ndërhyrjes, shtetaset e huaja kanë refuzuar të hapin dyert e apartamenteve dhe për këtë arsye u desh ndërhyrja e Shërbimit Zjarrfikës për hapjen e tyre. Në flagrancë u arrestua shtetasja L. H., 52 vjeçe, lindur dhe banuese në Armeni, e dyshuar për veprat penale prostitucioni dhe përshtatja e ambienteve për prostitucion.
Gjithashtu, u procedua penalisht një 22-vjeçare nga Peruja, si dhe tre shtetas shqiptarë nga qarku i Durrësit për veprën penale prostitucioni. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, karta telefoni dhe blloqe shënimesh që lidhen me aktivitetin e paligjshëm.
Nga veprimet hetimore rezultoi se apartamentet ishin marrë me qira dhe ishin përshtatur posaçërisht për këtë veprimtari. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.
