
Kamerat e sigurisë pranë banesës çuan hetuesit te 39-vjeçari Michael David McKee, i arrestuar për vrasjen e Spencer dhe Monique Tepe
Policia në Ohio ka zbardhur mënyrën se si arriti të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin kryesor për vrasjen e dentistit Spencer Tepe dhe bashkëshortes së tij, Monique Tepe, të cilët u gjetën të pajetë në banesën e tyre më 30 dhjetor.
Sipas dokumenteve gjyqësore, hetuesit gjurmuan një automjet që u pa nga kamerat e sigurisë së lagjes pranë shtëpisë së çiftit, i cili mbërriti pak para krimit dhe u largua menjëherë pas tij. Automjeti u identifikua si në pronësi të Michael David McKee, 39 vjeç, ish-bashkëshorti i Monique Tepe.
Makina u lokalizua më vonë në Rockford, Illinois, ndërsa autoritetet konstatuan se McKee e kishte pasur në përdorim gjatë gjithë periudhës së dyshuar të krimit. Ai u arrestua më 10 janar dhe akuzohet për dy vepra penale të vrasjes.
Alarmi u dha fillimisht pasi Spencer Tepe nuk u paraqit në punë dhe kolegët nuk arritën ta kontaktonin për disa orë. Një mik i familjes telefonoi disa herë shërbimet e emergjencës, duke raportuar se dëgjonte fëmijët e çiftit, 1 dhe 4 vjeç, duke qarë brenda shtëpisë.
Kur policia mbërriti në banesë, gjeti Spencer dhe Monique Tepe të pajetë. Sipas zyrës së mjekësisë ligjore, shkaku i dyshuar i vdekjes për të dy është plagosja me armë zjarri, ndërsa hetimet vijojnë për detaje të tjera.
Familjarët e viktimave kanë reaguar të tronditur, duke i përshkruar Spencer dhe Monique si prindër të përkushtuar dhe njerëz të dashur, ndërsa kanë kërkuar që drejtësia të vihet plotësisht në vend për këtë ngjarje tragjike.
