
Nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, hetimet çuan drejt një zinxhiri korrupsioni që përfshin ish-zyrtarë të shtetit dhe falsifikime masive në bregdet.
Një hetim i thelluar i SPAK-ut ka zbuluar detaje tronditëse nga afera e vjedhjes së pronave në Lalëz dhe Shetaj, ku në qendër qëndron emri i njohur Aleksandër Laho, alias “Rrumi”. Dosja ka marrë një kthesë të fortë pasi në telefonin e mikut të tij, Stiven Mëziu, janë gjetur foto, video dhe dokumente që lidhen me korrupsionin e ish-zyrtarit të Avokaturës së Shtetit, Irgen Kërçuku.
Zbulimi erdhi pas atentatit të vitit 2019 ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku Mëziu ndodhej pranë vendit të ngjarjes dhe u ndalua për verifikime. Në celularin e tij, hetuesit gjetën prova që ekspozonin pagesa ryshfeti, marrëveshje të fshehta dhe dokumente pronësie të manipuluara që çuan drejt një rrjeti të mirëorganizuar për tjetërsimin e tokave në bregdet.
Sipas dosjes hetimore, Rrumi kishte paguar Kërçukun që ky i fundit të mos apelonte një vendim gjyqësor që i favorizonte një sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë në zonën e Lalzit. Kur marrëveshja doli zbuluar, zyrtari u dhunua dhe u detyrua të kthente paratë, ndërsa më vonë të dy u dënuan për korrupsion.
Hetimet e SPAK zbuluan se grupi kriminal kishte përdorur dokumente të falsifikuara të ligjit 7501, duke regjistruar prona shtetërore në emër të banorëve fiktivë dhe më pas duke i shitur në tregun e lirë të pasurive në bregdet. Dhjetëra hektarë tokë ishin futur në qarkullim përmes manipulimeve në Zyrën e Kadastrës së Durrësit, me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar.
Përmes përgjimeve të aplikacionit Sky ECC, hetuesit kanë zbuluar jo vetëm mekanizmin e tjetërsimit të pronave, por edhe planet kriminale të grupit të Rrumit për eliminime fizike dhe intimidime ndaj kundërshtarëve, ndërsa paralelisht vijonte aktiviteti për legalizimin fiktiv të pronave në Kepin e Rodonit dhe Rërën e Bardhë.
SPAK ka sekuestruar deri tani 18 pasuri kadastrale në zonën e Lalzit dhe Shetaj, duke e cilësuar këtë aferë si një nga skemat më të sofistikuara të grabitjes së pronës publike në Shqipëri, ku ndërthuren krimi i organizuar, korrupsioni shtetëror dhe pastrimi i parave.