
Tre shkencëtarët u vlerësuan për zbulimin e mekanizmave të tolerancës imunitare periferike, një hap gjigant drejt trajtimit të sëmundjeve autoimune.
Çmimi Nobel në Mjekësi 2025 u nda për tre figura të shquara të kërkimit shkencor: Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi, për punën e tyre revolucionare në fushën e tolerancës imunitare periferike; një mekanizëm thelbësor që ndihmon trupin të shmangë sulmet ndaj vetvetes.
Shpallja u bë në Institutin Karolinska të Stokholmit, duke hapur kështu serinë e gjashtë çmimeve Nobel që do të ndahen gjatë javës. Sipas komisionit, zbulimet e tyre kanë hapur rrugën për terapi të reja në trajtimin e sëmundjeve autoimune, kancerit dhe infeksioneve kronike.
Në historinë e çmimit, Nobel për Mjekësi është dhënë 115 herë, ndërsa viti 2024 kishte shpërblyer Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për studimet mbi mikroARN. Çmimi përfshin 1.2 milion dollarë dhe një prestigj që ndryshon jetën e fituesve.
Shpalljet e tjera do të vijojnë me Nobelin për Fizikë të martën, Kimi të mërkurën, Letërsi të enjten dhe Paqe të premten, ndërsa Ekonomia do të mbyllë ciklin më 13 tetor. Ceremonia e ndarjes do të zhvillohet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel, themeluesit të çmimeve që prej vitit 1901.