
Macron pret presidentin ukrainas në Elysee, ndërsa emisari amerikan udhëton drejt Moskës dhe Europa kërkon rol më të fortë në negociatat e paqes
Volodymyr Zelensky është pritur sot në Elysee nga Emmanuel Macron, në një takim që vjen në një moment presionesh të forta si në frontin lindor të Ukrainës, ashtu edhe në planin politik ndërkombëtar. Dy udhëheqësit po zhvillojnë bisedime për koordinimin europian dhe për ecurinë e planit amerikan që synon një paketë paqeje për konfliktin ruso-ukrainas.
Vizita e Zelenskyt ndodh ndërsa emisari amerikan Steve Witkoff pritet të takohet nesër në Moskë me Vladimir Putinin për të vijuar diskutimet mbi propozimin e Uashingtonit. Kremlini ka konfirmuar takimin, duke e cilësuar atë pjesë të një raundi të ri negociatash që Shtetet e Bashkuara po e shtyjnë me ritëm të shpejtë.
Nga ana europiane, Franca ka theksuar se procesi nuk mund të vazhdojë pa përfshirjen e vendeve të BE. Ministri francez i jashtëm ka deklaruar se versioni fillestar i planit amerikan është ndryshuar ndjeshëm pas ndërhyrjes së europianëve dhe se tani kërkohet bashkërendim më i ngushtë për garancitë e sigurisë pas përfundimit të luftës.
Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE, Kaja Kallas, e ka cilësuar këtë javë vendimtare për diplomacinë europiane. Ajo ka njoftuar se do të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me ministrat ukrainas për të përcaktuar hapin e radhës në procesin e negociatave.
Nga Uashingtoni, presidenti Donald Tramp ka shfaqur optimizëm se palët po afrohen drejt një marrëveshjeje, por njëkohësisht ka kritikuar Kievin për skandalet e korrupsionit që, sipas tij, dobësojnë pozicionin negociator të Ukrainës.
Ndërkohë, diskutimet e zhvilluara një ditë më parë në Florida mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase janë përshkruar si produktive, edhe pse jo të lehta. Burime nga të dyja palët theksojnë se pikat kyçe të planit mbeten ende të paqarta, ndërsa presioni ndaj Kievit po rritet në një moment kur Rusia ka avancuar në disa drejtime në lindje.
Takimi Macron-Zelensky në Paris pritet të japë sinjalin e qartë se Evropa kërkon rol qendror në përcaktimin e çdo formule të mundshme paqeje për Ukrainën. Në orët e ardhshme dy liderët do të japin një deklaratë të përbashkët për mediat.
