
Ukraina kërkon më shumë mbështetje nga liderët evropianë, por pengesa kryesore mbetet vetoja e Hungarisë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua këtë të enjte me rreth 50 liderë evropianë në Kopenhagë, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, për të siguruar më shumë ndihmë për vendin e tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ngushtuar ndihmën financiare.
Në qendër të diskutimeve ishte propozimi i BE për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar një hua të re prej 140 miliardë euro për Kievin. Megjithatë, Belgjika kërkoi garanci ligjore mbi ndarjen e rriskut, ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi hapur se do të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në BE, duke argumentuar se kjo do të sillte luftën brenda Unionit dhe do të hidhte më shumë fonde drejt Kievit.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, paralajmëroi se Evropa është tashmë në një luftë hibride të zhvilluar nga Rusia, ndërsa Ukraina është “vija e parë e mbrojtjes” së kontinentit. Ajo theksoi se deri në vitin 2030 Evropa duhet të jetë plotësisht e aftë të mbrohet vetë, duke përmendur incidentet e fundit me dronë mbi Danimarkë e Poloni si shenja të qarta të kërcënimit rus.
Inteligjenca perëndimore ka paralajmëruar se Moska mund të testojë NATO-n me një agresion të ri brenda tre deri në pesë viteve, ndërsa Zelensky i kërkoi aleatëve të mos dorëzohen para presionit të Kremlinit. “Ata që zgjedhin lidhjet me Rusinë kundër SHBA dhe Evropës po vendosin veten kundër nesh të gjithëve,” -tha ai, duke iu referuar Hungarisë dhe politikave të saj energjetike.
Samiti në Kopenhagë, i zhvilluar mes masave të rrepta sigurie, shihet si një moment kyç për të përcaktuar nëse Evropa është e gatshme të mbajë peshën e mbështetjes për Ukrainën, ndërsa Amerika e Trump po zhvendos fokusin drejt sigurisë në Azi.