Ukraine's President Volodymyr Zelenskyy, second left, speaks with European Council President Antonio Costa, center rear, during a round table meeting at the EU Summit in Brussels, Thursday, Dec. 18, 2025. (Stephanie Lecocq, Pool Photo via AP)
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka sinjalizuar një gatishmëri të re për kompromis në negociatat e paqes me Rusinë, duke hapur rrugën për lëshime territoriale të kufizuara dhe duke ia kaluar përgjegjësinë Moskës për hapin e radhës. Kështu vlerëson CNN në një analizë të saj, duke theksuar se ky është një nga momentet më delikate të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë një takimi të pazakontë, të hapur dhe të gjatë me gazetarët, Zelensky foli për një plan me 20 pika, të cilin e përshkroi si “një dokument themelor për përfundimin e luftës, një dokument politik mes nesh, Shteteve të Bashkuara, Europës dhe rusëve”. Ai tha se pret një përgjigje nga Moska, pasi pala amerikane të ketë përcjellë qëndrimin ukrainas në Kremlin.
Drafti aktual përfaqëson një version të shkurtuar të planit fillestar me 28 pika, i cili ishte diskutuar më herët nga SHBA-të me palën ruse, në përpjekje për të thyer ngërçin diplomatik.
Donetsku dhe zonat e çmilitarizuara
Një nga elementët më të ndjeshëm të propozimit lidhet me lindjen e Ukrainës. Zelensky foli për një kompromis të mundshëm që parashikon tërheqjen e trupave nga disa zona të rajonit të Donetskut, të cilat aktualisht nuk janë nën kontroll rus. Këto përfshijnë të ashtuquajturën “zonë fortesash”, me qytete strategjike si Kramatorsk dhe Slovjansk, që shihen si pengesë kryesore për një avancim të mëtejshëm rus.
Presidenti rus Vladimir Putin ka këmbëngulur se Ukraina duhet të dorëzojë praktikisht të gjithë Donetskun që një marrëveshje paqeje të jetë e zbatueshme. Nga ana e tij, Zelensky theksoi se çdo tërheqje ukrainase duhet të shoqërohet me tërheqje simetrike të forcave ruse, duke krijuar zona të çmilitarizuara përgjatë vijave aktuale të frontit.
“Nëse krijojmë një zonë të lirë ekonomike, që në thelb do të ishte një zonë e çmilitarizuar, ku forcat e rënda largohen dhe distanca mund të jetë 5, 10 apo 40 kilometra, atëherë edhe trupat ruse duhet të tërhiqen në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Zelensky.
