
Kriza e ngrohjes dhe energjisë në kryeqytetin ukrainas thellohet pas sulmit rus të 9 janarit, ndërsa presidenti fajëson hapur autoritetet lokale për mungesë përgatitjeje
Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, me mbi tre milionë banorë, po përballet me një nga dimrat më të vështirë të viteve të fundit, mes temperaturave të ulëta, mungesës së ngrohjes, ujit të ngrohtë dhe energjisë elektrike. Situata u përkeqësua ndjeshëm pas sulmit rus të 9 janarit, duke e shtyrë qytetin drejt një krize humanitare.
Problemet infrastrukturore nuk janë të reja për Kievin. Trotuare të ngrira, tubacione që plasin dhe rrjete të amortizuara kanë qenë prej vitesh realitet nën drejtimin e kryebashkiakut Vitali Klitschko. Megjithatë, vala e fundit e sulmeve ka nxjerrë në pah, sipas autoriteteve qendrore, mungesën e përgatitjes dhe reagimit të shpejtë të bashkisë.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka qenë i drejtpërdrejtë në kritikat e tij, duke e cilësuar gjendjen në Kievit veçanërisht të rëndë dhe duke fajësuar autoritetet lokale për menaxhim të dobët. Ai ka krahasuar kryeqytetin me qytete të tjera të goditura rëndë nga bombardimet ruse, përfshirë Kharkiv, të cilat sipas tij kanë treguar aftësi më të mira për t’u përballur me pasojat e sulmeve.
Sipas presidentit, në Kiev është bërë shumë pak për të garantuar funksionimin bazë të shërbimeve jetike dhe për të mbrojtur qytetarët nga pasojat e dimrit ekstrem. Ai ka theksuar se edhe ditët e fundit nuk është vërejtur përpjekje e mjaftueshme për të korrigjuar situatën dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente.
Përplasja mes presidencës dhe bashkisë po ndodh në një moment kritik për Ukrainën, ku lufta, infrastruktura e dëmtuar dhe presioni mbi popullsinë civile po e vënë shtetin përballë sfidave të shumëfishta. Ndërsa sulmet ruse vazhdojnë, kriza në Kiev po shndërrohet jo vetëm në një çështje menaxhimi lokal, por në një provë serioze për qëndrueshmërinë e institucioneve në kohë lufte.
