
Kryeministri në detyrë: “Sot vendosim për katër vitet e ardhshme në komunat tona”
Në kuadër të zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në gjithë territorin e Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Pas votimit, Kurti deklaroi se kjo është një ditë me rëndësi të madhe për demokracinë lokale dhe pjesëmarrjen qytetare.
“Sot votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona. Përveçse jemi qytetarë të Republikës së Kosovës, ne jemi edhe banorë të komunës. I ftoj të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre, të bëhen palë të interesuara në zgjidhjen e problemeve që kanë,” u shpreh ai.
Procesi zgjedhor po zhvillohet në 38 komuna të vendit, me pjesëmarrje të lartë që nga orët e para të mëngjesit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se të gjitha qendrat janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Votimet e sotme pritet të përcaktojnë drejtuesit e rinj të komunave dhe përbërjet e kuvendeve komunale, ndërsa vëzhgues të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë po monitorojnë procesin për të garantuar mbarëvajtjen e tij.