
Sulmi i përgjakshëm në plazhin e Sidneit la 15 viktima, hetimet fokusohen te motivet terroriste dhe lidhjet ekstremiste
Autori i dyshuar i sulmit të përgjakshëm në zonën Bondi në Sidnej është zgjuar nga koma dhe ndodhet tashmë nën marrje në pyetje nga autoritetet australiane. Lajmi është konfirmuar nga Policia e New South Wales, e cila bëri të ditur se 24-vjeçari po trajtohet ende në spital nën masa të rrepta sigurie.
Sipas hetimeve paraprake, ai dhe babai i tij 50-vjeçar dyshohen se hapën zjarr ndaj personave që po festonin Hanukan në një plazh të Sidneit, duke shkaktuar vdekjen e 15 civilëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Viktimat përfshijnë edhe një vajzë 10-vjeçare, ndërsa më e moshuara ishte 87 vjeç.
Gjatë ndërhyrjes policore, babai i autorit u qëllua për vdekje në vendngjarje, ndërsa i riu u neutralizua pas një përballjeje të tensionuar dhe iu dha ndihma e parë nga efektivët, të cilët kryen reanimim kardiopulmonar për t’i shpëtuar jetën. Ai u transportua në spital në gjendje kritike dhe u vendos në koma artificiale, nga e cila është zgjuar sot.
Policia ka bërë të ditur se në banesën e marrë me qira nga autorët është gjetur një video ku ata shfaqen të armatosur dhe shprehin bindje ekstremiste. Gjithashtu, hetuesit kanë sekuestruar materiale që lidhen me ideologji terroriste, përfshirë një flamur të ISIS-it, ndërsa po hetohen edhe dyshime për kontakte me kampe trajnimi ekstremistësh jashtë vendit.
Autoritetet po verifikojnë udhëtimin e dyshuarve në Filipine, ku ata dyshohet se kanë qëndruar për rreth një muaj para se të ktheheshin në Australi. Pas kthimit, ata kishin marrë me qira një banesë të përkohshme pranë Sidneit, duke u thënë familjarëve se ndodheshin në një udhëtim peshkimi.
Ngjarja konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës në Australi në tre dekadat e fundit, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet, rrjetin e mundshëm mbështetës dhe rrethanat që çuan në këtë akt ekstrem dhune.
