Pas hetimeve të SPAK dhe sekuestrimit të telefonave të bashkëpunëtorëve të saj, rrjetet sociale të zëvendëskryeministres po pastrohen në heshtje, një shenjë se mbrojtja politike mund të ketë marrë fund
Në hije dhe pa zhurmë publike, bashkëpunëtoret më të afërta të Belinda Ballukut kanë nisur të zhdukin çdo gjurmë të saj nga rrjetet sociale. Postime, foto, intervista dhe video që për vite kanë shërbyer për të ndërtuar profilin e saj publik janë fshirë ose fshehur njëra pas tjetrës. Ky pastrim dixhital i paprecedent ndodh vetëm pak ditë pas shpërthimit të hetimit penal ndaj zëvendëskryeministres nga SPAK, duke ngritur dyshime të forta se procesi i saj politik ka hyrë në fazën e shuarjes.
Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se pas sekuestrimit të telefonave të disa bashkëpunëtoreve të Ballukut, është zhvilluar një takim urgjent në Kryeministri, i kërkuar prej saj vetë, që përfundoi pa rezultat. Sipas të njëjtave burime, komunikimi me të është reduktuar në minimum, ndërsa zyrtarë të afërt po distancohen një nga një.
Në këtë fshirje masive, i vetmi profil që ende ruan materiale të vjetra është ai i asistentes së saj personale, e cila ka mbajtur aktivitetet e periudhës kur Balluku shfaqej si një nga figurat më të fuqishme të qeverisë “Rama 4”. Të tjerët, duket se kanë kuptuar se epoka e saj politike po mbyllet.
Analistët e quajnë këtë veprim sinjal të qartë të ftohjes nga qendra e pushtetit, një mënyrë për të hequr çdo shenjë publike që lidhet me emrin e Ballukut, ndërsa hetimi i SPAK pritet të shkojë në thellësi.
Në të njëjtën kohë, heshtja e mediave kryesore dhe mungesa e çdo qëndrimi politik nga kryeministri Edi Rama po interpretohen si një ndarje e ngadaltë dhe e qëllimshme nga një zyrtare që dikur gëzonte proteksion të plotë qeveritar.
Nëse dikur Belinda Balluku ishte një nga figurat më të ekspozuara të kabinetit, sot ajo po përballet me izolim publik, heshtje politike dhe, siç duket, me fshirjen e kujdesshme të vetes nga kujtesa dixhitale e pushtetit që e ngriti.
