
Të paktën 160 klientë të dëmtuar në Fano, disa humbën deri në 10 mijë euro, autoritetet nisin hetimet për mashtrim të organizuar
Një skandal i rëndë ka shpërthyer në qytetin italian të Fano, ku dhjetëra qytetarë kanë mbetur pa udhëtime dhe pa para, pas zhdukjes së papritur të pronares së agjencisë turistike Il Vicolo dei Viaggi. Sipas të dhënave paraprake, të paktën 160 klientë janë dëmtuar, ndërsa shuma totale e parave të humbura arrin rreth 140 mijë euro.
Pronarja e agjencisë, Antonella Ago, rezulton e palokalizueshme që prej festës së Vitit të Ri. Klientët kishin prenotuar udhëtime individuale dhe në grup drejt destinacioneve si Vietnami, Japonia, Tailanda, Afrika, Argjentina, Egjipti, Spanja, Barcelona dhe rajone të ndryshme të Italisë, por asnjë prej tyre nuk u realizua.
Sipas denoncimeve, pagesat janë kryer si me transfertë bankare ashtu edhe në para në dorë. Në shumë raste, klientëve u është kërkuar që paratë të transferoheshin përmes platformës bankare Revolut, një bankë digjitale me seli jashtë Italisë. Disa prej viktimave deklarojnë se kanë marrë edhe fatura të rregullta, gjë që fillimisht nuk ngriti dyshime.
Një nga klientët rrëfen se për një udhëtim në Vietnam kishte paguar paraprakisht mbi 1.200 euro për person, ndërsa më pas kishte kryer edhe pagesën e plotë në cash, pa marrë kurrë dokumentet e udhëtimit. Të tjerë tregojnë se edhe kur janë përpjekur të bllokojnë transfertat bankare pas dyshimeve për mashtrim, bankat i kanë informuar se fondet ishin zhdukur dhe nuk mund të rikuperoheshin.
Një rast tjetër flet për një udhëtim në Japoni për dy persona, me vlerë rreth 10 mijë euro, i cili nuk do të realizohet kurrë, pasi dokumentet e udhëtimit nuk janë dorëzuar dhe pronarja e agjencisë nuk gjendet askund. Edhe udhëtime drejt Spanjës dhe destinacioneve të tjera janë anuluar pa asnjë rimbursim.
Denoncimet janë depozituar pranë karabinierëve dhe shoqatave të mbrojtjes së konsumatorëve, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të zbardhur fatin e parave dhe përgjegjësinë penale të përfshirë. Autoritetet po hetojnë dyshimet për një skemë të qëllimshme mashtrimi, e cila dyshohet se ka funksionuar prej të paktën dy vitesh.
Ndërkohë, dhjetëra familje mbeten pa kursimet e tyre dhe pa përgjigje, në pritje që drejtësia italiane të zbardhë një nga rastet më të rënda të mashtrimit turistik të viteve të fundit në rajon.
