
Kryetarja e Komisionit të Kulturës mbron banorët e lagjes së Kalasë, paralajmëron dëgjesa parlamentare dhe i kërkon qeverisë të ndalë shpronësimet
Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, ka reaguar pas protestës së banorëve të lagjes së Kalasë në Durrës për prishjen e banesave në kuadër të një projekti të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Ajo e cilëson nismën “pushtim të trashëgimisë” dhe “të dëmshme për komunitetin”, duke theksuar se mbi 70 familje po përballen me presion shpronësimi.
Sipas Zhupës, “turistët vijnë për shtëpitë e vjetra, historinë e gjallë dhe rrugicat”, jo për “lulishte milionëshe me fatura AADF”. Ajo akuzon fondacionin se sillet si pronar i historisë e kulturës, ndërsa qeveria “i bën fresk”. “Të ndërtosh një kartolinë sterile duke shkatërruar identitetin është krim ndaj trashëgimisë,” shkruan ajo.
Zhupa njoftoi se do të kërkojë dëgjesa në Komision me banorët, Bashkinë Durrës, AADF dhe Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, për të shqyrtuar ligjshmërinë dhe ndikimet e projektit. Ajo i bën thirrje qeverisë të ndalë menjëherë ndërhyrjet dhe shpronësimet, duke përsëritur se trashëgimia nuk shpronësohet, por jetohet dhe mbrohet.