

Për herë të parë, ushtria izraelite ka kryer një sulm ajror në Katar, duke shënjestruar anëtarë të lartë të Hamasit në kryeqytetin Doha, një vend që deri tani ka qenë ndërmjetës kyç në bisedimet për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe që strehon bazën më të madhe ushtarake amerikane në rajon, Al Udeid.
Sipas ushtrisë izraelite, sulmi ishte një atentat i planifikuar ndaj drejtuesve të Hamasit dhe anëtarëve të ekipit negociator të grupit palestinez, të cilët ndodheshin në Doha për të shqyrtuar propozimin më të fundit të Shteteve të Bashkuara për një armëpushim në Gaza.
Në deklaratën zyrtare, ushtria izraelite u shpreh:
“Forcat Ajrore, në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë (Shin Bet), kryen një sulm ndaj udhëheqësve kryesorë të Hamasit, të cilët për vite me radhë kanë drejtuar aktivitetet terroriste dhe janë përgjegjës direkt për masakrën e 7 tetorit dhe për luftën kundër shtetit të Izraelit.”
Po ashtu, ushtria izraelite theksoi se janë marrë masa për të shmangur viktimat civile, përfshirë përdorimin e armëve precize dhe të dhëna shtesë të inteligjencës.
Ministria e Jashtme e Katarit e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar një shkelje flagrante të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të Katarit. Zëdhënësi Majed Al Ansari tha se goditjet prekën ndërtesa banimi ku jetonin disa anëtarë të Byrosë Politike të Hamasit. Sulmi ndodhi pranë një zone të banuar, duke e bërë skenën jashtëzakonisht të ndjeshme dhe duke vënë në alarm autoritetet e sigurisë që po punonin për të gjetur dëmet dhe viktimat e mundshme.
Më pak se dy javë më parë, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura izraelite, gjenerali Eyal Zamir, kishte deklaruar se Izraeli do të synonte drejtuesit e Hamasit, kudo që ndodhen në botë.
Ky zhvillim pason gjithashtu vrasjen e udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, një sulm që gjithashtu iu atribua Izraelit.