
Flakët përfshinë katin e dytë të shtëpisë në fshatin Zvezdë, dyshohet se zjarri nisi nga një rezistencë ose sobë ngrohjeje
Një zjarr ka rënë gjatë orëve të mëngjesit në një banesë në fshatin Zvezdë të bashkisë Maliq, duke rrezikuar seriozisht jetën e familjarëve që ndodheshin në gjumë në momentin e shpërthimit të flakëve.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka përfshirë katin e dytë të banesës, ndërsa shkaqet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Dyshohet se flakët mund të kenë nisur nga një rezistencë elektrike ose një sobë ngrohjeje, e përdorur gjatë natës.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë shërbimi zjarrfikës, i cili ka bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit, duke shmangur përhapjen në pjesë të tjera të banesës dhe në shtëpitë përreth.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, pasi fqinjët kanë ndërhyrë me shpejtësi duke ndihmuar familjarët të dalin jashtë banesës. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
