
Flakët jashtë kontrollit në jug të vendit, shpallet gjendje katastrofe në dy rajone
Kili po përballet me një nga situatat më të rënda të viteve të fundit, teksa zjarre masive dhe të pakontrolluara kanë shkaktuar të paktën 16 viktima dhe kanë detyruar mijëra persona të braktisin shtëpitë e tyre.
Presidenti i vendit, Gabriel Boric, shpalli në orët e para të së dielës gjendje katastrofe në rajonet Ñuble dhe Bío Bío, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Sipas shërbimit pyjor të Kilit, CONAF, zjarrfikësit po luftojnë aktualisht me 24 vatra aktive në zona të ndryshme të vendit. Frontet më problematike janë përqendruar pikërisht në Ñuble dhe Bío Bío, ku autoritetet kanë urdhëruar evakuime masive për të shmangur humbje të tjera jete.
Ministri i Sigurisë Publike, Luis Cordero, konfirmoi se 15 persona kanë humbur jetën në rajonin Bío Bío, ndërsa një viktimë tjetër u raportua më herët në Ñuble, duke e çuar numrin total të viktimave në 16.
Deri më tani, zjarret kanë shkatërruar rreth 8.500 hektarë tokë dhe të paktën 250 banesa, ndërsa shërbimi i mbrojtjes civile njoftoi se rreth 20.000 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Dhjetëra komunitete mbeten në rrezik, ndërsa urdhrat e evakuimit vijojnë të jenë në fuqi.
Autoritetet paralajmërojnë se kushtet atmosferike po e përkeqësojnë situatën. Erërat e forta dhe temperaturat ekstreme, që pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius nga Santiago deri në Bío Bío, po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po vështirësojnë ndërhyrjen nga ajri dhe toka.
Kili, ashtu si edhe Argjentina fqinje, po përballet me valë të zgjatura të të nxehtit që nga fillimi i vitit, ndërsa më herët gjatë këtij muaji zjarre të mëdha shkatërruese përfshinë edhe Patagoninë.
