
Flakët e nxitura nga era e fortë dhe temperaturat e larta dogjën shtëpi e automjete, qeveria shpall gjendjen e emergjencës në rajonet më të goditura
Zjarre masive kanë përfshirë jugun e Chile, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë humane dhe materiale. Sipas autoriteteve, të paktën 19 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 50 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në rajonet Nuble dhe Biobio, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit.
Flakët, që vijojnë prej dy ditësh, janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe motit jashtëzakonisht të nxehtë. Pamjet nga zonat e goditura tregojnë shtëpi dhe automjete të shkrumbuara, ndërsa qytete të tëra janë lënë thuajse në hi. Numri më i madh i viktimave është regjistruar në qytetin bregdetar Penco, ku autoritetet lokale flasin për dëme totale në disa lagje.
Banorët e qytetit fqinj Lirquen kanë përshkruar momente paniku, duke treguar se zjarri avancoi brenda sekondash. Shumë njerëz arritën të shpëtojnë vetëm duke vrapuar drejt plazhit, ndërsa pas flakëve, sipas dëshmive, pothuajse asgjë nuk mbeti në këmbë.
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, shpalli gjendjen e emergjencës në rajonet Nuble dhe Biobio dhe urdhëroi angazhimin e rreth 4 mijë zjarrfikësve, të mbështetur edhe nga forcat e armatosura. Ai vizitoi qytetin e Concepcion, një nga zonat më të goditura, duke paralajmëruar se kushtet për shuarjen e zjarreve janë jashtëzakonisht të vështira. Në disa qytete u vendos edhe orë policore gjatë natës.
Autoritetet raportojnë se evakuimet më të mëdha po kryhen në Penco dhe Lirquen, zona me një popullsi të kombinuar prej rreth 60 mijë banorësh. Ndërkohë, drejtuesit e shërbimeve të emergjencës paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe erërat e forta vijojnë të rrezikojnë përhapje të mëtejshme të flakëve.
Zjarret e fundit rikthejnë në vëmendje ndikimin e ndryshimeve klimatike në Kilin jugor. Vitet e fundit, vendi është përballur me zjarre gjithnjë e më shkatërruese, thatësira ekstreme dhe përmbytje. Vetëm në shkurt të vitit 2024, një seri zjarresh pranë qytetit Vina del Mar morën jetën e 138 personave dhe prekën rreth 16 mijë banorë, një precedent tragjik që sot po përsëritet në përmasa të reja.
