
Banorët e lagjes tregojnë se 73-vjeçarja kishte muaj pa lëvizur nga këmbët dhe refuzonte të jetonte me fëmijët
Pas tragjedisë në Korçë, ku një e moshuar humbi jetën pasi banesa e saj u përfshi nga flakët, fqinjët kanë rrëfyer detaje prekëse mbi jetën e saj të përditshme.
Banorët e lagjes nr. 13 bëjnë me dije se Fluturie Potka jetonte e vetme prej kohësh dhe se kishte disa muaj që ishte e paralizuar nga këmbët. Sipas tyre, edhe pse kishte një vajzë dhe një djalë, ajo nuk kishte pranuar të largohej nga banesa për të jetuar me ta.
Fqinjët tregojnë se e moshuara nuk merrte ndihmë të rregullt dhe se gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar muajt e fundit. Ata shprehen se pavarësisht insistimit të familjarëve, ajo kishte zgjedhur të qëndronte vetëm në shtëpinë e saj.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit, ndërsa autoritetet po analizojnë çdo detaj që lidhet me këtë ngjarje të rëndë.
