
6 të vdekur të konfirmuar dhe mbi 60 persona të zhdukur, autoritetet paralajmërojnë situatë kritike
Një zjarr masiv që shpërtheu në një qendër tregtare shumëkatëshe në Karaçi të Pakistanit ka shkaktuar të paktën gjashtë viktima të konfirmuara, ndërsa mbi 60 persona raportohen ende të zhdukur, duke ngritur frikën se bilanci i viktimave mund të rritet ndjeshëm.
Sipas autoriteteve lokale, flakët përfshinë qendrën tregtare Gul Plaza, e vendosur në rrugën kryesore MA Jinnah Road, mbrëmjen e së shtunës. Deri pasditen e së dielës, zjarri ishte vënë nën kontroll rreth 70%, por operacionet e shuarjes dhe sigurisë vijonin ende.
Kryeministri i provincës Sindh, Murad Ali Shah, konfirmoi se mes viktimave ndodhet edhe një zjarrfikës, ndërsa 22 persona të tjerë u plagosën, por më pas u liruan nga spitali. Ai e cilësoi situatën si tejet shqetësuese për shkak të numrit të madh të personave që rezultojnë ende të zhdukur.
Autoritetet kanë hapur një linjë telefonike emergjence për raportimin e personave të humbur dhe për informimin e familjarëve. Sipas zyrtarëve, ndërtesa kishte tre kate dhe një bodrum, ku funksiononin mbi 1.000 dyqane, çka e bën të vështirë verifikimin e saktë të numrit të personave që ndodheshin brenda në momentin e zjarrit.
Dyshimet paraprake flasin për një shkëndijë elektrike në një dyqan me materiale të djegshme si shkak të zjarrit. Ndërkohë, zyrtarë në terren kanë paralajmëruar se struktura e ndërtesës është dëmtuar rëndë, me pjesën e pasme të shembur dhe rrezik të lartë për shembje edhe në pjesën ballore.
Forcat zjarrfikëse po fokusohen fillimisht në neutralizimin e plotë të flakëve, përpara se të hyjnë në ndërtesë për kërkime të mundshme të të mbijetuarve. Situata mbetet kritike, ndërsa autoritetet lokale paralajmërojnë se operacioni i shpëtimit mund të zgjasë për shkak të rrezikut të lartë strukturor.
