
Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërhyjnë dhjetëra zjarrfikës, shkaqet ende të paqarta
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme tregun e rrobave të përdorura në zonën e 5 Majit në Tiranë, duke krijuar panik dhe shqetësim në zonë.
Flakët janë përhapur me shpejtësi mes tezgave dhe strukturave të përkohshme, ndërsa tymi i dendur është parë edhe nga zona të largëta të kryeqytetit. Në vendngjarje kanë mbërritur rreth 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, të mbështetur nga 6 automjete, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Deri në këto momente, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të panjohura. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një vlerësim paraprak mbi dëmet materiale, të cilat pritet të jenë të konsiderueshme.
Pas shuarjes së plotë të flakëve, pritet që grupet e verifikimit të kryejnë ekspertizën për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe pasojat e tij.
