
40 të vdekur në Crans-Montana, hetimet fokusohen te siguria, përgjegjësia e pronarëve dhe dështimi i autoriteteve lokale
Detaje të reja tronditëse po dalin në dritë lidhur me zjarrin katastrofik që përfshiu një lokal nate në resortin zviceran Crans-Montana natën e Vitit të Ri, ku humbën jetën 40 persona, mes tyre edhe adoleshentë, ndërsa mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Sipas avokatit Romain Jordan, që përfaqëson një pjesë të viktimave dhe të plagosurve, pronarët e lokalit Le Constellation, çifti Jacques dhe Jessica Moretti, dyshohet se kanë bllokuar llogaritë e lokalit në rrjetet sociale gjatë orëve kritike të operacioneve të shpëtimit. Sipas tij, kjo ka ndodhur mes orës 03:00 dhe 06:30 të mëngjesit, në kohën kur zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente po luftonin për të shpëtuar jetë.
Jordan e cilësoi këtë veprim si tepër të dyshimtë, duke theksuar se pikërisht në ato momente, dikush po mendonte për përmbajtjen e publikuar në rrjete sociale dhe jo për situatën dramatike në terren. Para zjarrit, lokali kishte reklamuar gjerësisht festën e Vitit të Ri, përfshirë përdorimin e shampanjës me fishekzjarrë brenda ambientit.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri shpërtheu rreth orës 01:30, pasi fishekzjarrët e vendosur në shishe shampanje i vunë flakën materialit akustik në tavan, i cili rezulton të ketë qenë jashtëzakonisht i ndezshëm. Brenda pak minutash, ambienti u përfshi nga një zjarr i tipit flashover, ku gjithçka digjet njëkohësisht, duke bllokuar rrugët e shpëtimit për klientët e shumtë që ndodheshin brenda.
Ish-punonjës të lokalit kanë deklaruar se masat e sigurisë ishin problematike. Sipas tyre, fikëset e zjarrit shpesh mbaheshin të mbyllura, dalja emergjente ishte herë pas here e bllokuar ose e kyçur dhe stafi nuk kishte trajnim të qartë për emergjencat. Një ish-zjarrfikës ka krahasuar materialin e përdorur në tavan me atë të përdorur në ndërtesën Grenfell në Londër, e cila u përfshi nga një zjarr fatal disa vite më parë.
Një tjetër fakt shqetësues është se lokali nuk kishte kryer inspektimin vjetor të sigurisë nga autoritetet për më shumë se pesë vite. Këtë e ka pranuar edhe këshilli lokal i Crans-Montana-s, duke shprehur keqardhje për dështimin institucional dhe duke deklaruar se përgjegjësitë do të hetohen.
Autoritetet zvicerane po hetojnë pronarët e lokalit për vrasje nga pakujdesia, plagosje të rëndë nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga neglizhenca. Ndërkohë, po shqyrtohet edhe roli i institucioneve vendore në mungesën e kontrollit dhe zbatimit të standardeve të sigurisë.
Tragjedia ka lënë pas një komunitet të tronditur. Mijëra banorë dhe familjarë të viktimave morën pjesë në një marshim përkujtimor në Crans-Montana, duke nderuar të ndjerët dhe duke kërkuar drejtësi. Hetimet vijojnë, ndërsa presioni publik për zbardhjen e plotë të përgjegjësive është në rritje.
