
Flakët u përhapën me shpejtësi gjatë natës në zonën e Bongao, duke lënë mijëra banorë pa strehë
Një zjarr masiv ka përfshirë një qytet bregdetar në jug të Filipineve, duke shkatërruar mbi 1000 banesa dhe duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në zonën Barangay Lamion, në ishullin Tawi-Tawi, dhe u përhap me shpejtësi alarmante.
Sipas autoriteteve lokale, flakët nisën rreth orës 22:00 dhe u favorizuan nga erërat e forta si edhe nga materialet lehtësisht të djegshme të shtëpive të ndërtuara mbi shtylla druri pranë vijës bregdetare. Pamjet ajrore të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një panoramë dramatike, ku çatitë dhe ndërtesat shemben mes një deti flakësh portokalli.
Zjarrfikësit arritën të vendosin situatën nën kontroll vetëm në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:00, por deri atëherë zona ishte shndërruar pothuajse tërësisht në hi. Autoritetet vlerësojnë se rreth 5000 persona janë prekur drejtpërdrejt nga zjarri.
Fatmirësisht, deri tani nuk raportohen viktima në njerëz, ndërsa qindra familje janë strehuar përkohësisht në qendra emergjente. Qeveria rajonale ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të ndihmave, përfshirë ushqime, ujë të pijshëm, tenda, ndihma mjekësore dhe mbështetje sigurie.
Shkaku i zjarrit mbetet ende nën hetim, ndërsa dëmet materiale paraprakisht vlerësohen në mbi 17.5 milionë peso filipinase. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për ndihmë dhe solidaritet për rindërtimin e komunitetit të shkatërruar, i cili ndodhet në një nga zonat më të izoluara të vendit.
