
Një muaj pas zjarrit shkatërrues në barin Le Constellation, autoritetet zvicerane konfirmojnë një tjetër viktimë, ndërsa hetimet zbulojnë shkelje serioze të sigurisë dhe përgjegjësi penale
Autoritetet në Zvicër kanë konfirmuar këtë të diel rritjen e bilancit të viktimave nga zjarri tragjik që përfshiu barin Le Constellation në Crans-Montana, duke e çuar numrin e të vdekurve në 41 persona. Lajmi u bë publik pas ndarjes nga jeta në spitalin e Zyrihut të një të riu 18-vjeçar, i cili kishte pësuar djegie të rënda në ngjarjen e 1 janarit 2026.
Sipas prokurores së përgjithshme të kantonit Valais, viktima e fundit ishte shtetas zviceran dhe vdiq më 31 janar, si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Me këtë humbje, tragjedia e fillimvitit në këtë qytet turistik të Zvicra mbetet një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit.
Mes 41 viktimave, të moshës nga 14 deri në 39 vjeç, janë 23 shtetas zviceranë, njëri prej të cilëve kishte edhe nënshtetësi franceze, si dhe 18 shtetas të huaj. Mes tyre përfshihen tetë francezë, gjashtë italianë, një belge, një portugeze, një rumun dhe një turk. Tragjedia ka prekur kryesisht adoleshentë dhe të rinj.
Në total, 115 persona të tjerë u plagosën në zjarr, përfshirë 23 shtetas francezë. Të plagosurit me djegie të rënda po trajtohen në spitale në Zvicër dhe në vende të tjera të Evropës.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se zjarri u shkaktua nga shkëndijat e qirinjve dekorativë të tipit fontanë, të cilat ndezën materialin izolues të tavanit në bodrumin e lokalit. Prokuroria po heton rrethanat e sakta të ngjarjes, respektimin e standardeve të sigurisë dhe përgjegjësitë individuale.
Çifti francez pronar i barit po hetohet për vrasje nga pakujdesia, plagosje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Ata janë lënë të lirë në pritje të procesit gjyqësor. Paralelisht, hetimi penal ka përfshirë edhe dy përgjegjës të sigurisë së komunës së Crans-Montana, e cila ka pranuar se nuk kishte kryer kontrollet e detyrueshme të sigurisë dhe zjarrit në lokal që prej vitit 2019, ndonëse ato duhet të kryheshin çdo vit.
Një muaj pas tragjedisë, plagët mbeten të hapura për familjet e viktimave, ndërsa komuniteti lokal vazhdon të kërkojë drejtësi dhe përgjigje për një zjarr që shndërroi festën e Vitit të Ri në zi kombëtare.
