
Dogji dy automjete në lagjen Iliria, nën hetim edhe një 16-vjeçar i dyshuar si bashkëpunëtor
Një ngjarje e rëndë kriminale është zbardhur nga policia në Shkodër, ku një 19-vjeçar është arrestuar si autor i dyshuar i djegies së qëllimshme të dy automjeteve, ndërsa ndaj një 16-vjeçari ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për bashkëpunim në këtë vepër penale.
Sipas autoriteteve, dy automjetet në pronësi të shtetasve Z. K. dhe A. D. u dogjën qëllimisht në orët e para të mëngjesit të datës 9 dhjetor 2025, në lagjen Iliria. Pas veprimeve intensive hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër finalizuan operacionin policor të koduar Traces, duke identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri mitraloz të lehtë, municion luftarak, një sasi lënde narkotike kanabis si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë aktit të zjarrvënies.
Ndërkohë, hetimet kanë zbuluar se në kryerjen e kësaj vepre penale dyshohet se ka marrë pjesë edhe një 16-vjeçar, për të cilin është vendosur procedim penal në gjendje të lirë.
Policia e Shkodrës bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
