

Operacion humanitar i Zvicrës: 20 fëmijë palestinezë të plagosur dhe familjarët e tyre, do të trajtohen në spitalet zvicerane, me mbështetjen e kantoneve.
Qeveria zvicerane ka vendosur të marrë në kujdes 20 fëmijë palestinezë të plagosur nga lufta në Gaza, të cilët do të mund të shoqërohen nga deri në 80 të afërm. Ky operacion humanitar, i përmasave të mëdha për standardet zvicerane, përfshin koordinimin e katër departamenteve federale, disa zyrave shtetërore, një agjencie të OKB dhe një organizate joqeveritare.
Sipas njoftimit të Këshillit Federal, kostot e transportit dhe organizimit do të mbulohen nga qeveria qendrore, ndërsa trajtimi mjekësor dhe kujdesi spitalor do të jenë përgjegjësi e kantoneve dhe spitaleve pritëse. Deri më tani, kantoni i Valais dhe kantoni i Gjenevës kanë konfirmuar gatishmërinë për të pranuar fëmijët dhe për të financuar shërbimet shëndetësore në qendrat e tyre.
Ky vendim u komunikua në mënyrë të përshpejtuar, pas deklaratës së ministrit të Jashtëm Ignazio Cassis në Nju Jork, ku ai mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Më pas, lajmi u bë publik edhe përmes rrjedhjeve në shtypin zviceran, duke nxitur reagime të shumta. Zëdhënësi i SEM-it, Reto Kormann, tha se disa kantone të tjera kanë shprehur gjithashtu interes për të ofruar mbështetje, por nuk u dhanë detaje konkrete, duke theksuar se ende ka elemente që duhen finalizuar.
Ky operacion shihet si një akt solidariteti dhe humanizmi i Zvicrës, në një moment kur situata humanitare në Gaza është përshkallëzuar ndjeshëm, me mijëra të plagosur dhe me sistemin shëndetësor lokal të kolapsuar.