
Gjatë paraqitjes për programin e ri të uljes së çmimeve të barnave, një përfaqësues i industrisë farmaceutike u rrëzua papritur, duke shkaktuar ndërprerje të menjëhershme të transmetimit.
Një incident i papritur ka ndodhur sot në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku Presidenti Donald Trump po prezantonte nismën për uljen e çmimeve të barnave kundër obezitetit. Gjatë konferencës, një zyrtar i një kompanie farmaceutike, i cili qëndronte pranë drejtuesve të industrisë, humbi ndjenjat dhe u rrëzua në dysheme, duke krijuar momente paniku mes të pranishmëve.
Pamjet e ngjarjes treguan dy persona që ndërhynë menjëherë për ta mbështetur, ndërsa Dr. Mehmet Oz, drejtues i Qendrave për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, iu afrua për të dhënë ndihmën e parë. Gazetarët dhe personeli mediatik u larguan menjëherë nga dhoma për t’i hapur rrugë personelit mjekësor të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Trump, i cili në atë moment qëndronte ulur në tryezën Resolute, reagoi i habitur nga situata, ndërkohë që konferenca u ndërpre për disa minuta.
Sipas njoftimit të Sekretares së Shtypit, Karoline Leavitt, personi është stabilizuar dhe ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ajo konfirmoi se gjendja shëndetësore nuk paraqet rrezik dhe se programi i prezantimit do të vazhdonte.
Pas rikthimit, presidenti Trump u shpreh se ishte i lehtësuar që zyrtari ishte në gjendje të mirë dhe vijoi prezantimin për iniciativën që synon të ulë kostot e medikamenteve për humbje peshe, me qëllim t’i bëjë ato më të aksesueshme për qytetarët amerikanë.
