Aktualitet

Prokuroria nis hetimet për helmimin e 70 fëmijëve në Gramsh, bllokohen kartelat e 6 pacientëve të shtruar në spital

Prindërit thonë se simptomat e fëmijëve kanë nisur që të premten e shkuar, por vetëm sot, AKU kanë marrë mostra të mishit të pulës, qumështit dhe të vezëve.

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet në lidhje me helmimin e 70 fëmijëve në një kopsht në Gramsh. Më tej bëhet me dije se pas njoftimit për helmimin e disa fëmijëve janë sekuestruar në cilësinë e provës kartelat klinike për 6 pacientët e shtruar në spitalin e Gramshit, procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr.1, si dhe janë marrë mostrat nga ushqimi për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike.Është bërë dhe bllokimi i produkteve ushqimore të mbetura në kuzhinën e këtij kopshti. Prindërit thonë se simptomat e fëmijëve kanë nisur që të premten e shkuar, por vetëm sot, AKU kanë marrë mostra të mishit të pulës, qumështit dhe të vezëve. Një prej prindërve është shprehur se ka 2 vajza në kopsht dhe nga ana e strukturave drejtuese janë lajmëruar që të marrin fëmijët pasi është evidentuar një rast me Salmonelë. Sipas tij, ditën e hënë, prindërit kanë njoftuar protestë ndaj autoriteteve përgjegjëse për ngjarjen.

Një nga pistat kryesore të hetimit është furnizuesi i ushqimeve me katering për kopshtin. Mësohet se furnizuesi i ushqimit me katering është kompania “Nelsa shpk”. Kopshti mësohet se ka një kontratë me një operator privat për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht.Në kuzhinën e kopshtit nuk kishte frigoriferë funksionalë për ruajtjen e produkteve të ndjeshme si mishi dhe qumështi një fakt i konstatuar edhe nga specialistë të AKU-së që kanë ndërhyrë pas incidentit. Përveç furnizimit me ushqime katering të çerdheve, kopshteve dhe konviktit të shkollës së mesme në bashkinë Gramsh, “Nelsa shpk” furnizon me ushqime dhe spitalet e burgjet. Administratorja e “Nelsa SHPK” ka folur në lidhje me ngjarjen. Në një prononcim telefonik, Elsa Kamberi Balla shprehet se ata furnizojnë me ushqimet bazë kopshtin në fjalë, si bulmetra, mishi,etj. Ajo shton se produktet e ofruara janë të kontrolluara.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *