Aktualitet Uncategorized

Lamtumirë, profesor Fatos Kola!

Lamtumirë Profe, u nise në udhën pa kthim…

Na le në heshtjen që të le madhështia. Thuhet se njerëzit e mëdhenj nuk ikin, por shndërrohen në dritë që ndriçojnë mendjet dhe zemrat që kanë prekur.

Kush të njohu, s’mundi të mbetej indiferent ballë teje. Me ty, çdo njeri përballej si me një pasqyrë parimore të vetes, gjithkush që të njohu ose të deshi si mik, ose të ndjeu si kundërshtar. Sepse ti kurrë nuk le hapësirë për meskinitet, për zona të mjegullta, për qëndrime të vakëta. Prej natyre, ishe i dashur, trazues i ujërave të ndenjura, forca që lëvizte të fjeturit, prania që sfidonte rehatin e rreme. Çdo hap i yti ishte zgjedhje krejt e vetëdijshme, i pamëshirshëm ndaj kompromisit. Vdiqe ashtu siç jetove i papërkulur e pa kompromis. I lirë në mendim, i zjarrtë në pasion, i ndershëm në shpirt. Jetove si një bohemian i vërtetë, jo nga moda, por nga parimi. Krijove pa frikë, fole pa kalkulime, veprove me ndërgjegje krejt të kthjellët.

Në këtë botë që shumë preferojnë maskën ndaj së vërtetës, ti zgjodhe të jesh fytyrë, edhe kur ajo lëndonte. Fjalët janë të pafuqishme për të mbajtur peshën e dhimbjes që na ka sjellë ndarja jote nga kjo jetë, por janë ura e parë për të ndarë pikëllimin tonë me njerëzit, mes nesh që të deshëm e na deshe, me miqtë, me studentët, me të gjithë ata që të respektuan dhe që mësuan nga ty se si jetohet pa u përkulur.

Me hidhërim lajmëroj se Fatos Kola skulptori i shquar, pedagogu i përkushtuar, artisti, filozofi, esteti dhe intelektuali i kulluar, u shua pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

Vepra jote profesor nuk do të shuhet.

Ajo do mbetet si frymë në ndërgjegjen artistike e kulturore të studentëve, të miqve e të kombit tënd.

Ti Profesor Tosi, ishe shumë më tepër sesa një mjeshtër i madh i formës. Ishe një arkitekt i shkollës shqiptare të skulpturës, një stilist e filozof i së bukurës, që modeloje jo vetëm materien, por edhe shpirtin e atyre që të dëgjonin e të ndiqnin.

Fjala dhe dora jote krijuese ishin dy gjuhë të një shpirti të vetëm, një shpirt që shihte përtej kontureve, përtej trajtës, përtej dhe kohës.

Për ty profesor, skulptura nuk ishte e thjeshtë, ishte formësimi i brendshëm i qenies, ishte zëri i heshtur i mendimit dhe i shpirtit, kur fjala nuk mjaftonte më. Ti e dije aq bukur se kur gjuha e fjalës heshtet, radha i vjen gjuhës së artit të flasë. Dhe ti flisje po aq bukur me të dyja gjuhët, si një skulptor që dinte të formëzonte imazhin e projektuar mbi materie dhe si një filozof që dinte të formësonte ndërgjegjen.

Unikaliteti yt qëndronte në këtë simbiozë si mes krijuesit dhe mendimtarit.

I papërsëritshëm në qëndrim. I pakompromis në ide.

Në një botë që shpesh e shet veten me kompromise, ti zgjodhe ndryshe. Me dinjitet, gjithonë ti zgjidhje ndryshe, më shumë sesa fjalën me pazar e kompromis.

Je dhe do të mbetesh i paharruar, si intelekt njerëzor, si shembull dhe si frymëzim.

Lamtumirë, Profesor i Madh!

Përulje dhe nderim para teje.

U prehsh në amëshim, në paqen që vetëm shpirtrat e mëdhenj e njohin.

____________________________

Fatmir ALBRAHIMI

Tiranë, më 3 qershor 2025

____________________________

Homazhet bëhen tek salla e Agjensi ‘Alba 2000’ në Rrugën e Durrësit dhe varrimi bëhet më datë 3 qershor në Tufinë, ora 13:00.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *